Forcat amerikane mbesin të angazhuara në Siri
Në një bazë në Sirinë lindore, një komandant i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, tha se trupat amerikane po rivendosen në disa baza, duke përfshirë lokacione të reja. Ai tha se janë duke punuar me forcat e udhëhequra nga kurdët, për të mbajtur presionin ndaj militantëve të Shtetit Islamik dhe për të parandaluar ekstremistët të rishfaqen ose të ikin nga burgjet.
“Misioni vazhdon. IS-i po përpiqet të ringjallet kudo që të munden”, tha komandanti Eric T. Hill.
Vendosja e forcave në lindje të Sirisë po ndodhë, pasi trupat amerikane u tërhoqën nga verilindja e Sirisë, duke i hapur rrugë një sulmi të Turqisë kundër luftëtarëve kurdë.
Vetëm pak kilometra larg bazës amerikane, luftimet midis forcave turke dhe luftëtarëve kurdë po vazhdojnë, megjithë armëpushimin që deri tani kishte frenuar ofensivën turke, por nuk i dha fund dhunës.
Të martën, presidenti i Turqisë, Reccep Tayyp Erdogan ka thënë se luftëtarët kurdë sirianë nuk janë larguar nga zona përgjatë kufirit turk, pavarësisht marrëveshjeve me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Ai tha se këtë çështje do ta diskutojë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump gjatë një takimi që pritet të mbahet më 13 nëntor në Uashington.
Duke folur para nisjes për në Uashington, Erdogan tha se ai gjithashtu do t’i jepte Trumpit një listë të sulmeve terroriste që dyshohet se janë kryer nga Mazloum Abdi, komandanti i forcave siriane që gëzojnë mbështetjen e Turqisë.
Turqia, muajin e kaluar, arriti marrëveshje për armëpushim me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara që mundësoi ndaljen e operacionit turk në Siri, dhe detyroi luftëtarët kurdë sirianë të tërhiqeshin nga kufiri turk.
Sidoqoftë, Erdogan tha se “as Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të pastrojnë Sirinë veriore nga organizatat terroriste brenda kohës që ata premtuan”.
Fraksion.com