Forcat ukrainase dhe separatistët nisin të tërhiqen nga një fshat në Donetsk
Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj dhe separatistët e mbështetur nga Rusia kanë nisur të tërhiqen nga një fshat në lindje të Ukrainës. Ky është një kusht kyç që mund të çojë në një samit të paqes.
“Tërheqja e trupave ka nisur” në fshatin Petrivske në rajonin e Donetskut, tha Bogdan Bbondar, zyrtar i lartë i Ushtrisë ukrainase.
Tërheqja e trupave në fshatin Petrivske është një nga disa masa, që mund të çojë drejt një samiti ndërmjet Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në Donbas.
Kievi tha se tërheqja e tretë – nga fshati Petrivske – do të thotë se Ukraina ka përmbushur obligimet e saja që të mbahet një samit i tillë.
Tërheqja e trupave nga Petrivske, fillimisht ishte paraparë që të ndodhte më 9 tetor, por ishte shtyrë pas rifillimit të luftimeve.
Ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur mund të nisin bisedimet, të cilat do të ndëmjetësohen nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Forcat ukrainase kanë luftuar me separatistët në lindje të Ukrainës që prej se konflikti ka nisur në prill të vitit 2014. Që atë kohë, në këtë zonë janë vrarë mbi 13 mijë persona.
Dy palët tashmë janë tërhequr nga Stanytsya Luhanska, që është një pikëkalim strategjik në rajonin Luhansk.
Fraksion.com