AktualitetTë fundit

Pronar me letra i makinës së prokurorit Ndoja; Merret në pyetje biznesmeni nga Durrësi

Automjeti me të cilin udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Landi allias Pëllumb Muharremi, i përkiste një personi që disponon një shoqëri taksish në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për Fadil Çalliku nga Xhafzotaj i Durrësit, i cili kishte të regjistruar në emrin e tij automjetin me targë “AA 333 ZD”.

Pikërisht ky automjet pasditen e 1 nëntorit 2019 përdorej nga prokurori Arjan Ndoja, i cili është sulmuar nga një automjet tjetër me breshëri automatiku, ku Ndoja dhe Muharremi kanë mbetur të plagosur, ndërsa shoferi i prokurorit Ndoja, Andi Maloku nga Kruja ka ndërruar jetë ditën e djeshme në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.

Ky automjet sipas burimeve të prokurorisë përdorej edhe nga bashkëshortja e prokurorit Arjan Ndoja. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje Fadil Çallikun, i cili ka dhënë shpjegime lidhur me rrethanat dhe arsyet se pse ja kishte lënë në përdorim prokurorit Ndoja automjetin. Çalliku ka treguar se kishte njohje me Ndojën dhe Muharremin.

 

Fraksion.com