AktualitetTë fundit

Kthimi në shtëpi i Alvinit; Lleshaj: Terrorizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë

“Terrorizmi, dhuna dhe ekstremizmi nuk janë opsion për jetën tonë”-, deklaroi sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, nga Aeroporti i Romës, “Fiumiçino”, gjatë një konference për mediet pas përfundimit me sukses të operacionit të kthimit të Alvin Berishës në shtëpi.

Alvin Berisha mëngjesin e sotëm është bashkuar me familjen e tij , babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës. 11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe.

Ministri Lleshaj në fjalën e tij, veç falënderimeve theksoi se ky operacion është një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë, dhe mbi të gjitha një mesazh thelbësorë për politikën që ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin më.

“Kam një falenderim për të gjithë aktorët që u angazhuan për të kthyer në botën që i takon. Ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë disa aspekte. Së pari kemi një aspekt politik, pasi operacioni është ndjekur nga dy kryeministrat Rama dhe Conte, të cilët vendosën vijimin e operacionit pas takimit në Romë. Pastaj ka pasur një dimension të rëndësishëm ku janë përfshirë ambasadat tona”-, bëri të ditur Lleshaj.

“Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor, një bashkëpunim të shkëlqyer mes policive të të dy vendeve tona. Kam ardhur në Romë sot për të shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptare për këtë bashkëpunim. Një falënderim kam edhe për autoritetet policore të Shqipërisë dhe Italisë, për autoritetet e Kryqit të Kuq italian dhe ndërkombëtarë, si dhe Gjysmë Hënës së Kuqe”-, tha Lleshaj.

“Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë direkt në operacion. Ishin autoritet libaneze që mbështetën realizimin në terren të këtij operacioni kaq delikat. Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe shtrohet pyetja nëse ne po e përdorim politikisht këtë: Dhe unë them po. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që na shërbejnë si eksperiencë pas përfundimit të këtij operacioni. Alvin Berisha është një rast i trishtuar që na tregon të gjithëve se dhuna dhe ekstremizmi, terrorizimi nuk janë opsione në jetën tonë. Gjithë sfida e politikës dhe shoqërisë është që rasti i Alvin Berishës të mos përsëritet dhe çdo formë e dhunës të mos gjejë hapësirë në shoqërinë tonë europiane”, tha Lleshaj.

 

Fraksion.com