“Ftohet nga Gjykata Speciale”; Kadri Veseli konfirmon udhëtimin drejt Hagës
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli më 4 dhjetor do të udhëtojë për në Hagë. Ai njoftoi se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë.
“Epoka e UÇK-së është pjesa më krenare e jetës sime. Kam qenë i bekuar që isha ideator dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së. Nga prilli i vitit 1999 deri në qershor të 2008-s kam udhëhequr SHIK-un (Shërbimi Informativ i Kosovës). Lufta e kombit ka qene vet jeta jonë, lufta e drejtë për liri ka qenë e sulmuar gjithmonë. Duke filluar nga UNMIK, EULEX, drejtësia vendore e tash Dhomat e Specializuara. Nuk besoj se në histori të ketë pasur një shembull të tillë edhe ky proces duhet të ketë një epilog. Jam i bindur se edhe kjo gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese”, tha Kadri Veseli.
Katër muaj më parë Gjykata Speciale e ftoi në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte edhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga posti që e çoi vendin në zgjedhje. Deri tash, Gjykata Speciale ka ftuar dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, disa nga ata si të dyshuar e disa nga ata në cilësinë e dëshmitarëve, por, deri tash nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. Kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës së ish-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se gjykata special ka shpërndarë me dhjetëra ftesa për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Deri tash për ish-ushtarë janë shpërndarë mbi 80 ftesa nga Gjykata Speciale. Këto të dhëna janë nga vetë ish-pjesëtarët që na kanë njoftuar neve si shoqatë”, thotë Hyseni Gucati.
Gjykata Speciale apo, siç njihet me emrin zyrtar “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në Kosovë në periudhën 1998-99. Kjo u mundësua në gusht të vitit 2015, kur Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran, Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetimet në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.
Fraksion.com