Të korruptuarit e nivelit të lartë janë të pashpresë
Nga Spartak Ngjela
Të korruptuarit e nivelit të lartë shtetëror sot në Shqipëri, janë të pashpresë. Reforma në Drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut, me ndihmën e politikës amerikanë, do t’i likuidojë të gjithë me forcën e ligjit.
Pas 25 vjetësh, të shtypur nga korrupsioni i lartë shtetëror, shqiptarët do të kenë shpresë se do të jetojnë me mirëqënie në vendin e tyre.
Por ndërkohë që sundojnë, në 25 vjet, të korruptuarit e lartë kanë shkatërruar gjendjen shoqërore në Shqipëri: kanë sjellë shtetin joligjor, krimin e organizuar antishtet, tregun banal pa prodhim kombëtar, papunësinë; kanë sjellë varfërinë ekstreme shqiptare dhe largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Kjo është vepra e tyre, po pse e bënë?
Në fakt e kanë bërë kryeministrat bastardë dhe të shitur tek armiqtë shekullore të shqiptarëve. Shpejt shqiptarët do t’i dëgjojnë të provuara bëmat e tyre.
Këtë gjendje po kërkon të rregullojë reforma antikorrupsion me ndihmën e politikës amerikanë. Por shqiptarët pyesin: si?
Si do të mund të shpëtojnë ata nga kjo gjendje?
Por këtu del kjo pyetje: çfarë është realisht kjo gjendje, dhe si mund të karakterizohet ajo? Në të vërtetë, kjo është një gjendje pushtimi. Shqipëria e sotme është e pushtuar nga hordhitë e korrupsionit shtetëror.
l.
Shqiptarët vetë, me forcat e brendëshme të intelektit të vet, ishte e pamundur të shpëtonin nga kjo gjendje. Sot, të gjithë ata që dinë të mendojnë mëvetësisht, e shohin përditë mjerimin e imponuar, dhe e kanë kuptuar që janë të pushtuar.
Shqipëria sot është e pushtuar nga krimi shtetëror, nga krimi i rrugës, dhe nga segmente të veçantë të krimit të organizuar.Të tre këta faktorë punojnë në funksion të njëri-tjetrit.
Si?
Krimi shtetëror në Shqipëri, në 25 vjet rresht, qëndron në dy kolona mbajtëse: në qeverinë e korrupruar, dhe në pushtetin gjyqësor të korruptuar (prokurorinë e korruptuar, dhe gjykatën e korruptuar).
Qeveritë e korruptuara, kudo ku kanë sunduar, kanë shkatërruar intelektualizmin në drejtimin shtetëror dhe kanë bllokuar funksionimin e ligjit. E dini pse nuk bën përpara Afrika? Jo se nuk ka pasuri, por se shtetet afrikane ka 50 vjet që i ka pushtuar korrupsioni. Njëlloj si Shqipërinë në 25 vjetët e fundit.
ll.
Në Shqipëri është shkatërruar me kast arsimi i lartë dhe vetë shkollimi i shqiptarëve. Gjithçka është bërë me skemë nga korrupsioni.
Berisha ishte autori direkt i diplomave fals, dhënë nga universitete fantazmë, të “ngritura me ligj”, diploma këto që sot kanë inonduar administratën shtetërore.
Administrata e sotme shtetërore është injorancë e ngritur në një sistem antidije dhe antiprofesion.
Kjo e ka sjellë gjendjen administrative të Shqipërisë në një nënpunësi joprofesionale që gjithë ditën vjedh shqiptarët. Paguhet nën dorë nga krimi i rrugës dhe krimi i organizuar, dhe, shkatërron tregun dhe prodhimin shqiptar në funksion të fitimit individual.
Kjo është në vija të trasha arsyeja reale e Shqipërisë së pushtuar nga korrupsioni dhe, pikërisht kjo është administrata injorante e cila është pushtuesja parësore e shqiptarëve.
lll.
Kush është pushtuesi dytësor i shqiptarëve? Pushtuesi dytësor është pushteti gjyqësor- gjykata dhe prokuroria shqiptare. I gjithë ky pushtet në fakt ka sjellë në Shqipëri krimin dhe pasigurinë. Në një vend ku mungon forca e ligjit, sundon krimi. Kur forca e krimit është më e fortë se forca e ligjit, krimi bëhet sundues i shoqërisë
Një administratë e korruptuar që vjedh shtetin, dhe krim i organizuar që dominon tregun, kjo është sot simbioza e shoqërisë shqiptare.
Është kjo simbiozë që njeriut të thjeshte i ka hequr shpresën dhe i ka ndërkallur në shpirt dyshimin për jetën e sigurt. Kurse, edhe rinia ndihet si pa të ardhme.Të dy këta faktorë psikologjikë kanë sjellë dëshirën e shfrenuar për t’u larguar nga Shqipëria.
Po qeveria aktuale?
Kryeministri shqiptar thotë çdo ditë se shqiptarët ndihen të kënaqur. Por, fakti që priret për të mos e treguar gjendjen e rëndë të shoqërisë shqiptare, kuptohet se po luan kundër shqiptarëve dhe interesit të tyre. Domethënë, si gjithë të tjerët, nuk e do zhvillimin e Shqipërisë.
Por, të gjithë këta, a mund ta frenojnë dot reformën antikorrupsion që ka nisur?
E kanë krejt të pamundur. Ekspertiza amerikanë është në aktivitet të plotë sot në Shqipëri.
SPAK-u është çështje ditësh… Kurse politika amerikanë po ushtron forcë politike kundër korrupsionit të lartë.
Fraksion.com