“Rusia duhet t’i japë fund okupimit të Ukrainës për stabilitet”
7,2 për qind e territorit ukrainas është nën okupimin rus, thotë zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës
Ukraina i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund pushtimit të saj për të arritur stabilitetin në rajon, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.
“Fatkeqësisht, nga ajo që shohim, Deti i Zi nuk është më një zonë e bashkëpunimit, por një zonë e jostabilitetit dhe kjo është shkaku se njëri prej fqinjëve tanë, Federata Ruse, ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka pushtuar shtetin sovran Ukrainën”, tha për Anadolu Agency (AA) Oleksii Makeiev, drejtori politik i ministrisë.
Makeiev të martën filloi një vizitë pune dyditore në Ankara për konsultime politike mes Turqisë dhe Ukrainës.
Ai tha se 7,2 % e territorit ukrainas është nën pushtimin rus, duke shtuar se duhet të bëhet gjithçka që është e mundur që Rusia të bëjë një hap prapa në rivendosjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Nuk do të ishte e mundur derisa Rusia të de-okupojë Krimenë dhe të ndalojë luftën e saj kundër Ukrainës. Ne jemi fqinj dhe nuk do të ketë stabilitet për shtetet e rajonit pa arritur paqe”, tha Makeiev.
– Tërheqja nga Ukraina lindore
Duke folur për tërheqjen e forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia nga qyteti lindor ukrainas Zolote, Makeiev tha se “nuk po shkon aq shpejt sa duam”.
Më 29 tetor, trupat ukrainase dhe separatistët filluan të tërhiqeshin nga vijat e frontit në qytetin Zolote.
Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014, Ukraina është përfshirë nga konflikti në rajonet e saja lindore.
Sipas të dhënave të OKB-së, luftimet me separatistët në zonën Donbass kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave.
“Nuk shkon mjaft mirë në zonat që kemi planifikuar, por të paktën kemi filluar me punën e rindërtimit në qytetin e Stanytsia Luhanska, ku jemi gati të riparojmë një urë e cila është shumë e rëndësishme për ukrainasit në territoret e okupuara për të arritur territorin e kontrolluar nga qeveria”, tha Makeiev.
Ai shtoi se Rusia duhet të tërheqë trupat dhe armatimet e saja nga territori i Donbassit dhe “të na lejojë të rivendosim rendin dhe ligjin së bashku me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar”.
– “Turqia luan rol kyç”
Drejtori politik tha se Krimea gjithmonë është në agjendën e konsultimeve dypalëshe të Kievit me Turqinë dhe shtetet tjera.
“Turqia këtu luan një rol absolutisht kyç në politikën ndërkombëtare të mospranimit të këtij okupimi”, tha Makeiev.
Ankaraja nuk e njeh Krimenë si territor rus, bashkë me OKB-në, BE-në dhe SHBA-të.
Ai rikujtoi se Turqia dhe Ukraina janë partnerë strategjik dhe se tatarët në Krime janë një urë e lidhjeve dypalëshe.
Ai tha se Ankaraja dhe Kievi kanë zhvilluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe biznesit në partneritetin e tyre strategjik.
Makeiev theksoi se dy shtetet kanë mbi 50 projekte dhe se po kërkojnë mundësi për prodhimin e avionëve.
“Kështu që bashkëpunimi dhe prodhimi i avionëve është një nga fushat e ardhshme të bashkëpunimit”, shtoi ai.
– Tranziti i gazit natyror nëpër Ukrainë
Lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket tranzitit të gazit natyror të Rusisë në Evropë përmes Ukrainës, Makeiev tha se kishte disa raunde të konsultimit me Rusinë.
“Unë nuk do të thoja se kanë qenë shumë të suksesshme, por e rëndësishme është që Federata Ruse e kuptoi se kontrata e re duhet të lidhet sipas kushteve të fushës juridike evropiane. Kështu që, nuk do të ketë marrëveshje në hije siç donin të arrijnë rusët”, tha ai.
Gjykata e Arbitrazhit në Stokholm e detyroi gjigantin rus të gazit Gazprom t’i paguante kompanisë kombëtare ukrainase të naftës dhe gazit Naftogaz 2.56 miliardë dollarë pas procesit gjyqësor për furnizimet e gazit dhe kontratat e tranzitit.
“Ne jemi në kërkim të negociatave të mëtutjeshme me rusët dhe unë mendoj se shumë vende thjesht e kuptuan se energjia nuk është thjesht një pasuri në duart e Federatës Ruse, ajo mund të jetë një armë”, shtoi Makeiev.
Rusia dhe Ukraina kanë pasur mosmarrëveshje për çështjen e gazit për shumë vite. Në mars të vitit 2018, për shumicën e çështjeve madhore në mosmarrëveshjen me Gazprom, gjykata e Stokholmit vendosi në favor të Naftogazit për pagesat e tepërta të bëra për furnizimet për këtë kompani.
Në prill të vitit 2014, disa ditë pas okupimit rus të Krimesë, Gazprom rriti çmimin e gazit për kompaninë Naftogaz për 80% dhe në nëntor të vitit 2015, Ukraina ndërpreu importin e gazit natyror nga Rusia./AA
Fraksion.com