Ruçi: Siguria lidhet ngushtë me vizionin për integrimin e Ballkanit Perëndimor
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Komisionit të Sigurisë të Parlamentit të Turqisë, Celatetin Guvenc dhe anëtarë të tjerë të Komisionit, të cilën morën pjesë në takimin vjetor të komisioneve parlamentare të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Europës Juglindore, i cili u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë, në datat 5-6 nëntor.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë strategjike, për shkak të lidhjeve historike, bashkëpunimit intensiv politik, partneritetit të ngushtë në NATO, shkëmbimeve dinamike dhe pozitës së dy vendeve në rajon. Këto marrëdhënie kapin një spektër të gjerë, duke përbërë një nga rastet më të pasur të bashkëpunimit që ka Shqipëria në Europën Juglindore, në aspektin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, ndihmës zhvillimore, shkëmbimeve sektoriale e bashkëpunimit normativ. Dialogu politik është i shkëlqyer dhe marrëdhëniet tepër miqësore. Shkëmbimet e shumta dhe intensive janë të suksesshme për konsolidimin e partneritetit strategjik dhe fuqizimit të bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet”, theksoi Ruçi.
Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për të identifikuar fusha të reja të bashkëpunimit në të tërë gamën me interes të ndërsjelltë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.
Në lidhje me temën e takimit vjetor të komisioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë, Ruçi nënvizoi se çështja e sigurisë është delikate dhe thelbësore për rajonin tonë. Sot koncepti për sigurinë ka marrë një përmbajtje shumë të gjerë dhe vetë siguria kërcënohet edhe nga arritjet bashkëkohore të njerëzimit, si avancimi i vrullshëm i teknologjisë së informacionit e faktorë të tjerë. Nuk duhet të kemi dy standarde për sigurinë. Përkundrazi, perspektiva për sigurinë e Bashkimit Europian, duhet të jetë e njëjtë me konceptin e sigurisë për vendet jashtë Bashkimit Europian. Të gjitha pjesët e kontinentit janë si enët komunikuese ku siguria, ekonomia dhe demokracia zhvillohen të ndërlidhura mes tyre. Prandaj politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në dhe për rajonin e Europës Juglindore lidhen ngushtë me vizionin për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë të Parlamentit të Turqisë, Celatetin Guvenc, falenderoi Kryetarin Gramoz Ruçi për vlerësimet për bashkëpunimin me Turqinë dhe paraqitjen e vizionit të tij për sigurinë në BE dhe në rajon dhe nënvizoi se Turqia dhe Shqipëria do të rrisin bashkëpunimin në të mirë të zhvillimit, paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Fraksion.com