Petricek: Republika Çeke nuk e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomas Petricek, thotë se vendi i tij nuk po e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës, ndonëse presidenti çek, Millosh Zeman, ka paralajmëruar se mund të ndodhë një gjë e tillë. Petricek, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, e quan dështim vendimin e Këshillit Evropian për të mos nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Petricek flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe ndikimin rus në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Petricek, një valë skepticizmi mbizotëron në Ballkanin Perëndimor, pas vendimit të Këshillit Evropian për të shtyrë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Cili është pozicioni i Republikës Çeke sa i përket zgjerimit të BE-së?
Tomas Petricek: Vendi im e ka mbështetur procesin e zgjerimit si një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian. I kemi mbështetur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në synimet e tyre për t’u bërë anëtare të BE-së. Unë personalisht e konsideroj vendimin e Këshillit Evropian në tetor si dështim. Për ne është e rëndësishme tani t’i sigurojmë partnerët tanë në Ballkan se ne do të duam të punojmë me ta. Procesi është ende i besueshëm. Ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të brendshme. Por, për ne është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes, angazhimet e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përparim gjatë viteve të kaluara dhe ne duhet t’i inkurajojmë që të vazhdojnë dhe ta bëjnë rolin e Bashkimit Evropian në rajon të besueshëm.
Radio Evropa e Lirë: E quajtët dështim (shtyrjen e datës nga BE-ja). Cilat mund të jenë pasojat?
Tomas Petricek: Jemi në kontakt me të dyja vendet. Besojmë se përparimi do të vazhdojë. Të dyja vendet duhet të vazhdojnë me reformat. Në të njëjtën kohë vazhdojnë aktivitetet, takimet me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për t’iu shpjeguar se procesi dhe politika e zgjerimit është ajo që do të sjellë stabilitet dhe siguri në rajon, i cili tashmë është i rrethuar me vende të BE-së.
Tomas Petricek: Për Republikën Çeke, duhet të ketë perspektivë të besueshme të anëtarësimit. Ne besojmë se procesi i integrimit bazohet në merita, porse duhet të ketë përkushtim të fuqishëm në anën tonë, që këto vende, sapo t’i përmbushin të gjitha kushtet për anëtarësim, të lejohen brenda (BE-së).
Tomas Petricek: Për ne është e rëndësishme që BE-ja të mbetet partner i besueshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi partnerë që kemi ambicie jo vetëm për të siguruar stabilitet në rajon, por edhe mirëqenie ekonomike dhe sociale për njerëzit që jetojnë në rajon. Gjatë vizitës sime në Maqedoninë e Veriut kemi diskutuar shqetësimet për ndikimin e mundshëm të aktorëve që nuk mbështesin demokracinë, liritë dhe sundimin e ligjit në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni valën në rritje të ndjenjës pro-ruse në vendet si Serbia, apo edhe në pjesë të Bosnjës, si Republika Srpska?
Radio Evropa e Lirë: Dhe, si i shihini marrëdhëniet e vendit tuaj me Rusinë?
Tomas Petricek: Përpiqemi (të kemi) marrëdhëniekorrekte me Rusinë. Ne jemi (vend) anëtar i BE-së dhe ne e respektojmë qasjen e përbashkët, sidomos pas aneksimit të Krimesë (nga Rusia) dhe konfliktit në lindje të Ukrainës. Ne zbatojmë regjimin e sanksioneve dhe nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, sepse nuk ka pasur ndonjë ndryshim pozitiv nga pala ruse.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Petricek, presidenti çek, Millosh Zeman, ka premtuar se do të kërkojë nga Republika Çeke tërheqjen e njohjes së Kosovës. A po e shqyrtoni këtë ju dhe kolegët tuaj në qeveri?
Tomas Petricek: Jo. Qeveria çekenuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Ne e kemi njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur dhe përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën. Ne i mbështesim të gjitha vendet në rajon për t’u bërë anëtare të BE-së, sepse është në interes të stabilitetit dhe sigurisë evropiane, por po ashtu është edhe mënyrë për zgjidhjen e shumë problemeve lokale, shumë tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë e mbështesim edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar.
Radio Evropa e Lirë: Përveç mospajtimeve midis Qeverisë dhe presidentit çek për çështjen e Kosovës, mospajtime ka edhe brenda vetë Qeverisë. Ju nuk jeni pajtuar me ministrin e Brendshëm, Jan Hamacek, për të mbështetur ose jo përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpol-it. Çfarë i nxit këto ndarje?
Radio Evropa e Lirë: Do ta shikoni lojën e futbollit midis Kosovës dhe Çekisë, javën e ardhshme?
Tomas Petricek: Do të përpiqem. Duhet të pranoj që nuk e kam parë lojën e fundit dhe shpresoj se do të dalim më mirë kësaj here.
Radio Evropa e Lirë: T’i kthehemi dialogut. Edhe ju e përmendët atë. Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara kanë dy të dërguar për këtë proces. Bashkimi Evropian pritet ta emërojë të tijin. Këto janë përpjekje të mëdha diplomatike. Si e shihni këtë proces? A mund të bëjnë paqe Kosova dhe Serbia?
Tomas Petricek: Besoj. Shpresoj të shohim përparim në dialog në muajt e ardhshëm. Sa i përket Bashkimit Evropian, ne presim tani emërimin e përfaqësuesve të rinj, të përbërjes së re tëKomisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë. Josep Borrell, i cili e ka kaluar me sukses seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian, tashmë ka deklaruar se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është në listën e prioriteteve të tij. Mund të them se Republika Çeke e mbështet rolin e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces. Kemi diskutuar me partnerët në të dyja palët, ne presim nga ta që t’i shmangen çfarëdo hapi që mund të rrezikojë dialogun, siç janë masat kufizuese (v.j.taksa) që kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës, apo mungesa e vullnetit për komunikim me palën tjetër.
Tomas Petricek: Josep Borrell do të përfaqësojë Bashkimin Evropian dhe jo Spanjën dhe ka qenë i shumë i hapur dhe i zëshëm kur ka thënë se kjo është prioritet i tij. Por, besoj se rol kanë edhe vendet anëtare. Kemi vende anëtare që e njohin Kosovën, kemi disa vende anëtare që nuk e kanë njohur, por kjo nuk na pengon të zhvillojmë marrëdhënie të mira edhe me Prishtinën, edhe Beogradin./REL
Fraksion.com