Hajdari: Reformim terësor në administrimin e zgjedhjeve
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore shqyrtoi në mbledhjen e sotme draftin me amendime të paraqitur nga ekspertët.
Bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, tha se debati më i madh është për amendimet lidhur me administratën zgjedhore ku do të kërkohet edhe ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil.
“Është një pikënisje e duhur por nuk kemi arritur një konsensus lidhur me amendimet që janë bërë për administratën zgjedhore. Pofesioni i komisionerëve në të gjitha nivelet është tejet i rëndësishëm sepse nuk do të jetë thjesht një përzgjedhje e nëpunësve civilë gjë që kërkon që paralelisht statusi për nëpunësin civil të ndryshohet sepse në të kundërt kjo skemë që kanë prezantuar ekspertët nuk mund të funksionojë. Kemi akoma shumë punë për të bërë siç është ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil”, u shpreh Hajdari.
Më tej ajo shtoi se, “Një pikë tjetër është përgjegjshmëria që këta individë do të kenë në momentin që do të zgjidhen si anëtarë të KQZ. Një risi tjetër është KAS. Kërkohet që të kenë përgjegjshmëri shumë të lartë. Njerëz jashtë strukturës së shërbimit civil mund të aplikojnë.Kyçi është që do të kalojnë në Kuvend me 2/3. Kjo ka për synim të jetë një formulë për 30 vitet e ardhshme.
Ndryshimi i sistemit do të jetë më një propozim brenda muajit nëntor. Ajo që po ndodh sot është në shërbim të shqiptarëve. Ka rënë besimi në votën e tyre. Të konsiderohet si një mbyllje kapitulli dhe për të parë një administrim të ri zgjedhjesh. Vullneti jonë është që të besojnë që vota e tyre të vlejnë për të gjitha zgjedhjet. Do ketë takim sërisht me shoqërinë civile. U kërkoj ekspertëve të marrin parasysh propozimet nga shoqëria civile dhe nga subjektet e tjera politike”.
Hajdari tha se drafti i parë kishte mangësi në mënyrën si ishin implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Ajo kërkoi reformim terësor të mënyrës sesi administrohen zgjedhjet. Dhe nëse i gjithë ky proces do të kurorëzohet me ndryshimin e sistemit, kauzë për të cilën Hajdari tha se do të luftojnë, atëherë shqiptarët do të mund të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Fraksion.com