Atentati në Shkozet, ndërron jetë në spital shoferi i prokurorit Ndoja
Andi Maloku e ka humbur betejën me jetën. Për shkak të plagëve të rënda në trup, shoferi i prokurorit Arjan Ndoj ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë, pa mundur të përballojë plagët në shtyllën kurrizore dhe në mushkëri.
Andi Maloku një ish-polic në Krujë prej pak kohësh punonte si shofer i kryeprokurorit të Durrësit dhe ditën e atentatit ai drejtonte automjetin në të cilin udhëtonte Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur edhe me emrin Landi Muharremi, apo pseudonimin “Rrumi”.
Andi Maloku që prej ditës së atentatit ka qenë në spitalin e Traumës nën mbikëqyrjen e plotë të mjekëve, por nuk ka mundur të shpëtojë, duke shënuar kësisoj viktimën e vetme ndoshta të këtij atentati, pas dy të plagosurve.
Andi Maloku mori plagë të rënda dhe ndodhej në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mësohet se Andi Maloku ka qenë ish punonjës policie në Kruje dhe i hetuar më parë për disa konflikte. Atentatorët e prokurorit Ndoj, shoferit Maloku dhe “Rrumit” po ecnin paralelisht me mjetin e prokurorit me targa AA 333 ZD, kur kanë qëlluar me breshëri arme në drejtim të tyre.
Deri më tani dyshohet se atentati ndaj prokurorit është bërë për shkak të detyrës po për zbardhjen e plotë të krimit mafioz është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga departamenti i Policisë kriminale, prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës. Madje, tashmë për këtë ngjarje ka edhe një të arrestuar, që është Redjan Rraja.