“Rimerr biznesin”; I ishte vendosur sekuestro nga Hipoteka Durrës
Gjatë eventit të përjavshëm të bashkëqeverisjes të organizuar nga kryeministri Rama, një nga problematikat e zgjidhura ishte dhe rasti i subjektit “Endi sh.p.k” përfaqësuar nga Saimir Pistolja.
Subjektit “Endi sh.p.k” i ishte vendosur sekuestro konservative mbi pronën nga ish-Hipoteka në Durrës për shkak të një ngatërrese me një tjetër subjekt, duke ndikuar ky bllokim dhe në marrjen e lejes së shfrytëzimit.
Rasti u ndoq nga koordinatori i biznesit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ku pas shqyrtimit të dokumentacionit përkatës, pasi u kryen të gjitha procedurat administrative u hoq sekuestro konservative e vendosur gabimisht.
“Në kadastër ishte bërë një ngatërresë. Dërguam shkresa kadastrës, por përgjigja nuk erdhi. Menduam t’i shkruajmë platformës së bashkëqeverisjes. Brenda 10 ditëve u zgjidh problemi dhe çdo gjë në rregull. Sekuestro u hoq dhe prona është prapë e imja”, – u shpreh Samiri Pistolja, përfaqësues i subjektit “Endi sh.p.k”.
Fraksion.com