AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nga 1 janari shërbime online të detyrueshme për çdo institucion shtetëror

Nga 1 janari do të fillojnë aplikimet online në çdo institucion shtetëror në mënyrë që të shmangen radhët e pritjes nga qytetarët dhe subjektet.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të përjavshëm të platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me këtë sistem çdo institucion do të jetë i detyruar të plotësojë të gjitha dokumentet që përmban një dosje, për të aplikuar për një licencë, për një autorizim, për regjistrimin e një ndërmarrje, të cilat i japin institucionet e shtetit. Pra shteti nuk do thotë më të mungon kjo apo ajo, për çdo mungesë që lidhet me vetë shtetin. Vetë institucionet do ti mbledhin këto për llogari të qytetarit apo biznesit”.

“Ne po përgatitemi për një hap tjetër shumë të rëndësishëm duke kaluar në një sistem të përgjithshëm me disa përjashtime objektive për të bërë të detyrueshëm aplikimin online për një numër shumë të madh shërbimesh . Pra për për të mos pasur më radha , më situata të panumërta pritjeje e zvarritjeje dhe për të krijuar mundësinë që çdo kush që kërkon shërbim në çdo institucion që jep shërbim për publikun me përjashtim të pak institucioneve që ende nuk e kanë mundësinë ta marrin aplikimin online për shkaqe objektive, të aplikojnë online dhe të marri me telefon përgjigjen që çfarë i ka kërkuar është gati”, – theksoi Rama.

Kryeministri solli shembullin e heqjes së regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit me prani fizike.

“Në QKB shkojnë njerëzit mbajnë radhë për të aplikuar për të regjistruar një kompani, që do të thotë çdo aplikim do të behet online kjo do të përfshijë edhe platformën e bashkëqeverisjes si një strukturë monitorimi, si një databazë të përgjithshme ku të gjitha aplikimet do të kenë një datë dhe ku të gjitha përgjigjet kanë një afat dhe për çdo shkelje të afatit do të ndiqet nga platforma si të bëhet sot dhe nga institucioni përkatës arsyeja pse dhe në rast se është arsye subjektive, pra mungesë korrektese nga ana e institucionit do të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për këtë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama shprehu besimin se kjo do të lehtësojë shumë njerëzit në procesin e aplikimeve dhe kërkesave për të marrë një shërbim.

 

Fraksion.com