Probleme me pasurinë dhe kontakte me krimin; Shkarkohet prokurori Përparim Kulluri
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Përparim Kulluri. Vendimi është dhënë mëngjesin e sotëm nga Komisioni i Pavarur i Vlerësimit, ku trupa gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici, Brunilda Bekteshi.
Kulluri kishte së fundmi në dorë dosjen “Babale”, ku janë të përfshirë personazhe të njohura të politikës, por edhe të medias. Problemet kryesore për Kullurin ishin problemet me figurën dhe pasurinë.
Dy ditë më parë KPK zhvilloi seancën dëgjimore për prokurorin Përparim Kulluri, të cilit iu vunë në dukje kontakte me një person të dënuar. Në kolonën e figurës sipas verifikimeve të drejtorisë së informacionit të klasifikuar Kulluri rezultoi me probleme dhe kontakte me shtetasin A.B i cili ishte i përfshirë në krime.
Por gjetjes së ONM e KPK se Kulluri kishte pasur biseda telefonike të shpeshta me të dhe udhëtime jashtë vendit me makinën e A.B, prokurori ju përgjigj duke thënë se A.B e kishte njohur në vitin 1990 në universitet e prej atij viti s’kishte asnjë kontakt.
Kullurit po ashtu iu vu në dukje se dyshohej që kishte bërë deklarim fiktiv të një dyqani në Orikum, për të përfituar një vlerë më të lartë dëmshpërblimi prej shpronësimit. Kulluri mohoi akuzat dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë, por sot u vendos që ai të shkarkohej.
Fraksion.com