AktualitetBota+Të fundit

Pompeo do të vizitojë Gjermaninë

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të vizitojë Gjermaninë, për të përmirësuar marrëdhëniet me këtë në vend, ndërkohë që ndaj tij janë shtuar kritikat për rolin në ngjarjet që çuan në hetimin nga ana e demokratëve, me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Departamenti i Shtetit tha të martën se zoti Pompeo do të takohet me zyrtarët gjermanë për të diskutuar mbi projektin e një tubacioni evropian nafte që kundërshtohet nga SHBA. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në festimet për të përkujtuar 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Në bisedimet me kancelaren Angela Merkel dhe Ministrin e Jashtëm Heiko Maas, zoti Pompeo do të diskutojë shqetësimet në rritje të SHBA në lidhje me kërcënimet ekonomike dhe strategjike nga Rusia, Kina dhe Irani. Ai pritet të përsërisë kundërshtimin e SHBA ndaj tubacionit të naftës Nord Stream 2, i cili ishte mbështetur me vendosmëri nga Gjermania dhe Rusia, thanë zyrtarët.

Zoti Pompeo pritet të vizitojë një bazë të ushtrisë amerikane, ku ai shërbente në vitet 1980.

Vizita vjen në një klimë debatesh, kur në Uashington po publikohen dëshmitë e zbardhura në procesin hetues të ndërmarrë nga demokratët e Kongresit që synojnë shkarkimin e Presidentit.

Disa diplomatë kanë thënë se zoti Pompeo nuk arriti të ndalë një përpjekje të Shtëpisë së Bardhë për të nxitur në mënyrë të padrejtë Ukrainën që të njollosë rivalët politikë të Presidentit Trump.

 

Fraksion.com