Ndërhyrjet e huaja në zgjedhje; Balla: Shkak, influenca ruse në Ballkanin Perëndimor
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli sot Balla në Komisionin për Politikën e Jashtme mbi Projekt-Rezolutën “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.
“Siç shprehet qartazi edhe në relacionin që shoqëron Projekt-Rezolutën shkas për të është bërë Rezoluta e Parlamentit Europian e votuar vetëm rishtaz në 10 tetor 2019 në Parlamentin Europian me 469 votes pro, 143 kundër dhe 47 abstenuan. Ndonëse në Bashkimin Europian apo në SHBA rastet e ndërhyrjes Ruse në proceset elektorale janë vërtetuar, dhe prej vitesh siç përmendet edhe në Rezolutë, për të luftuar fenomenin vendet anëtare ndalojnë plotësisht ose pjesërisht dhurimet e huaja për partitë politike ose kandidatët, aktorët e huaj gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato rregulla, dhe përmenden rastet e Frontit Kombëtar në Francë, dhe pretendimet e raportuara nga media për Partinë Liria në Austri, Lega në Itali dhe Leave.eu në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2018 BE mori një vendim in extremis kur njoftoi zyrtarisht nisjen e “luftës kundër dezinformimit” të përhapur nga Kremlin në përpjekje për të mbrojtur zgjedhjet e Parlamentit Europian 2019.Mënyra e parandalimit të ndërhyrjeve të huaja për Eurodeputetët është një iniciativë e përbashkët si forcimi i Task Forcës së përbashkët East StratCom”, nënvizoi Balla.
Duke kaluar tek rajoni i Ballkanit Perëndimor, Balla thotë se, “prej vitesh partnerët tanë strategjikë por edhe studime nga think tanks apo institute kërkimore kanë evidentuar dhe faktuar praninë Ruse në rajon e cila nëpërmjet dezinformimit ka ndikuar në të paktën tre zhvillime politike rajonale: në referendumin e ndryshimit të emrit në Maqedoninë e Veriut; në fazën e fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe në zgjedhjet e 2018 në Bosnje Hercegovinë. Në bazë të studimit të German Marshall Fund, nëpërmjet dezinformimit narrativa e përhapur Ruse janë lidhjet para-ekzistuese të identitetit, histori e përbashkët dhe një mbështetje e pakushtëzuar politike ruse në kohë”.
“Dezinformimi qëndron në faktin që zbehet dallimi midis opinionit dhe faktit duke krijuar mosbesim në burimet e mëparshme të respektuara të informacionit dhe krijojnë hapësirë për një narrativën anti-Perëndimore. Sipas studimit në fjalë dhe citoj “Kjo narrativë është filtruar nëpër mediat tradicionale dhe sociale, si dhe aktorë vendorë politikë, kulturorë dhe ekonomikë. Nuk është e gjitha çështja e një axhende politike të imponuar nga lart-poshtë, por ekziston edhe një mjedis politik i favorshëm në mënyrë që përpjekjet e tilla të mos rezistohen në mënyrën e duhur.” Kam dëgjuar edhe diskutimet e brendshme të cilat argumentojnë që Shqipëria është imune ndaj dezinformimit Rus. Në fakt është një argument pa bazë për sa kohë Shqipëria dhe shqipëtarët kudo në rajon në bazë të narrativës Ruse janë objekt i saj. Sërish më pëlqen të citoj studimin e German Marshall Fund kur thotë: “Ministria e jashtme e Rusisë është duke kaluar narrativën që BE dhe NATO kanë miratuar krijimin e një “Shqipërie të Madhe” në rajon. Narrativa e Perëndimit ndërhyrës, është ndërtuar gradualisht përmes deklaratave politike dhe përmbajtjes mediatike, duke shfrytëzuar tensionet etnike lokale. Daljet Pro-Ruse në rajon e kanë shfrytëzuar me këmbëngulje këtë argument në vitet e fundit. Një ilustrim i kësaj tendence është një titull që u shfaq në Sputnik në Mars 2017, në fillim të krizës në Shkup: “NATO e gatshme të shohë” gjakun në rrugët e Maqedonisë “për projektin e Shqipërisë së Madhe””, – thotë kreu i grupit parlamentar maxhoritar në parlament.
Balla tha më tej se studiues të fushës paralajmërojnë që fushatat dezinformuese të Rusisë apo të aktorëve të tjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk janë të drejtpërdrejta por bazohen në një spektër të gjerë të instrumenteve diplomatike. “Ndërsa një publikim i Friends of Europe, të financuar nga BE, identifikon ‘fake news dhe dezinformimin’ si normaliteti i ri në Ballkanin Perëndimor”, – tha Balla.
“Në këto kushte”, – sipas Ballës, “duke u dakordësuar mbi faktin që vendi jonë nuk mund të jetë imun ndaj fenomenit të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në fushatat elektorale, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, në kuadër edhe të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në 2021, vlerëson propozimin për shqyrtim dhe miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të Projekt-Rezolutës “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare””
Fraksion.com