“BE na lë në baltë”; Zhgënjim në Maqedoninë e Veriut
Njerëzit në Maqedoninë e Veriut janë të zhgënjyer nga BE dhe kryeministri i tyre. Besimi te demokracia është tronditur thellësisht.
“Nuk do të interesohem më për politikën”, shpjegon një informaticien 29-vjeç. “Dhe me siguri nuk do të shkoj më të votoj. Gjithsesi nuk ka rëndësi.” Po përhapet ndjenja e dorëzimit. As politika e brendshme, as ajo e jashtme nuk ecin vërtet në Maqedoninë e Veriut. Popullariteti i qeverisë ka rënë ndjeshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Brukselin: “BE na lë në baltë”, thotë një shitës 52-vjeç.
Shqetësimi për stabilitetin
Që në shtatorin e kaluar, kur Zaevi mbajti një referendum për të siguruar mbështetjen e popullit për ndryshimin e emrit, filloi mosbesimi ndaj qeverisë. Pasi votuan shumë pak njerëz votimi u konsiderua i pavlefshëm. ”I gjithë referendumi ishte shumë i paqartë. Kushtet e ndryshimit të emrit ishin jotransparente dhe njerëzit nuk e dinin, se për çfarë po votonin. Nuk bëhej fjalë as për një plan kohor ”, thotë një psikologe 32-vjeçare. Tanimë shumë të rinj shqetësohen për stabilitetin në Maqedoninë e Veriut: “Kam frikë se situata politike do të përshkallëzohet. Është shumë i rëndësishëm integrimi i vendit në BE në këtë kohë. Me zgjedhjet e reja, tani ekziston një shans që të marrë përsëri frenat një parti ekstremisht e djathtë,” shpjegon një studente duke iu referuar një partie opozitare. Ajo është e zhgënjyer nga BE. A ka ndonjë shans në zgjedhjet e parakohshme Zaevi, këtë ajo nuk e di: “Për herë të parë nuk mund të vlerësoj të ardhmen e vendit. E gjitha që di është se situata është e keqe “.
Shumë pak reforma
Në një sondazh të realizuar nga stacioni televiziv i afërt me opozitën, SITEL TV në Shtator, LSDM-ja Socialiste e Zaev-it ishte tre përqind pas konservatores VMRO-DPМNЕ, e cili tani shpreson të kthehet në pushtet. Në ç’masë ka ndryshuar gjendja si rezultat i vendimit të Brukselit, kjo do të dalë në pah.
Zaneta Trajkovska nga Instituti i Shkupit për Studime të Komunikimit sheh mbi të gjitha dështimet e shumta të qeverisë si një kërcënim për Zaevin: “Qeveria ka hyrë në marrëveshje jotransparente me opozitën në mënyrë që të ndryshojë kushtetutën, për ndryshimin e emrit. Dhe: në dy vitet e fundit asnjë rast i korrupsionit nuk është trajtuar deri në fund. Njerëzit nuk dinë kujt t’i besojnë ”.
Kjo nuk vlen vetëm për vetë qeverinë, por edhe për gjyqësorin, policinë dhe median. Ka edhe një mungesë të reformave të dukshme në arsim dhe shëndetësi. Në të njëjtën kohë, kryeministri kishte premtuar që do t’i jepte fund korrupsionit, do të përmirësonte jetën për qytetarët në të gjitha fushat dhe se do ta vendoste vendin në një kurs demokratik; drejt BE dhe jashtë izolimit ekonomik. Sidomos të rinjtë kishin shpresuar për përmirësime me kryeministrin socialdemokrat.
Nuk është vetëm Evropa
Por deri në pranverë ka ende shumë kohë. Ende është shumë herët për parashikime, shkruan gazetari Aleksandar Srbinovski, për sa i përket Evropës: “Njerëzit janë të zhgënjyer. Kjo as që diskutohet. Europa duket se përsëri është bërë e largët. Por unë mendoj se kjo situatë mund të rregullohet.” Por nëse nuk do të gjendet zgjidhje me Evropën, Srbinovski sheh një rrezik tjetër: “Nga zhgënjimi i tanishëm i njerëzve pas vendimit nga Brukseli mund të përfitojnë palë të treta. Rusia dhe Kina mund të përfitojnë nga kjo. Situata aktuale në vend u jep hapësirë lëvizjeje fuqive të tilla ekonomike”.
Një gjë është e sigurt: marrëveshja për emrin me Greqinë konsiderohet një shembull pozitiv në një rajon politik dhe ekonomikisht të paqëndrueshëm. BE më parë vlerësohej si garant i stabilitetit. Por besimi në demokraci dhe në sundimin e ligjit përmes një lidhjeje me Perëndimin ka filluar të lëkundet./DW
Fraksion.com