AktualitetTë funditUnë

25 qirinj të kuq

Nga Anissa Markarian

 

Kam përshtypjen se ime bijë po zhvillon prirje të sigurta për t’u bërë projektuese mjedisesh të brendshme. Shenjat janë bindëse dhe… shqetësuese. Tani që diplomën e dentistes e futi në xhep dhe kohë të lirë ka me tepri, mendimi i saj i parë kur kthehet në shtëpi për fundjave është të ndryshojë gjithçka. Renditjen e objekteve, vendosjen e mobiljeve, pozicionin e vazove me lule, gjer edhe destinacionin e dhomave! Krevati në kuzhinë, divani në bibliotekë, korrësja e barit në dhomën time, furra me mikro-valë në oborr, bufeja në banjë, gardëroba në dhomën e bukës, frigoriferi në sallon…
Më kishin thënë që vajzat e shenjës së akrepit kanë një personalitet revolucionar, por gjer në këtë pikë s’ma kishte marrë mendja kurrë!
Afrimi i fundjavës më andrallos. Ndihem në formë vetëm 4 ditë e gjysmë – nga e hëna gjer të premten në drekë.
Më tremb uragani «Interior Designer». Sidomos, kur jam në ethet e krijimit. Edhe më i vogli ndryshim rrotull meje më shkakton një çrregullim të brendshëm që më paralizon frymëzimin. Kam nevojë që gjithçka të jetë në vendin e vet, në rrëmujën e vet, në mungesën e vet.
Kur u ktheva nga mëmëdheu pas promovimit të librit, shtëpia kishte ndryshuar aq shumë sa që, në mënyrë të pavetëdijshme, bëra dy hapa prapthi për të verifikuar numurin e portës. Fatkeqësisht, isha në adresën e duhur.
– Do të ketë ardhur ndonjë grup xhirimi. – i thashë vetes, sepse e kam ende të pranishme në një kthinë të trurit atë shprehjen fatale: «ku hyn Kinostudio, nuk mbin bari».
O Zot, na mbro nga artistët! Se ne jemi vërtet të rrezikshëm ndonjëherë. Të lajthitur fare, jemi.
Shkundullimën fillestare e pësojmë kur na vjen në jetë fëmija i parë. Kthjellësia mendore që gëzonim përpara se të bëheshim prindër humbullon përfundimisht bashkë me qetësinë e veshëve dhe përtacinë me të cilën rridhte koha. Shastisja që na pllakos trurin është sa angështuese aq edhe frymëzuese. Ja një shembull që flet vetë: ndonëse e stonuar si cjap shyt, për lindjen e sime bije shkruajta e kompozova një ninullë trigjuhëshe pa pikën e turpit! (E përfytyroj qartas simfoninë që do të thur për nipin a mbesën e parë.) Prindërimi të bëka të ndihesh i plotfuqishëm e i pavdekshëm. Njëlloj si Zotat e Olimpit.
Sepse sjell në botë JETËN!

* * *

Sot, ime bijë mbush të 25-tat.
– Mam, shtëpinë do ta zbukuroj siç di vetë! – më saktëson në telefon që pa gdhirë, teksa mundohem t’i (ri)përshkruaj emocionet që provova kur ia përkëdhela sytë për herë të parë. – Mos qaj, mam! Do të të rrjedhë rimeli e do të bëhesh vonë për në punë. – më qortonkëshillon shpenguar.
Rrugës, bluaj me vete pyetjen e pashmangshme: si rrodhën kaq shpejt këto vite? Mendohem përmallshëm por nuk kam përgjigje.
U rrit, e rrita, u rritëm…
Pas punës do të blej një shishe shampanjë, një tortë luleshtrydhesh e 25 qirinj të kuq. Ime bijë do ta ketë kthyer shtëpinë përmbys për ta zbukuruar. Dalldi e epërme, tashmë. Ç’them?! Ndërkohë që merresha me pacientët, në shtëpi mund të ketë plasur revolucioni! A do t’i gjej dot pjatat e ëmbëlsirave, pirunjtë e vegjël, lopatëzën prej porcelani për të shpërndarë fetat, gotat e kristalit dhe sofrabezin e qëndisur? Ndoshta as tavolinë, as dollap, as kuzhinë nuk do të gjej më…
Mendoja që të hënave qielli ishte i kthjellët gjer të premten në drekë, por qenkam gabuar. Ehh… Mëmësia të bëka naive gjer në adhurim.

 

Fraksion.com