I morën Instagramin, Venera Lumani zbulon kush ishte
Para një muaji këngëtares së njohur, Venera Lumani, i morën Instagramin. Asaj ia fshinë të gjitha fotot e saj, përfshirë këtu dhe foton e profilit. U mendua se personi pas këtij veprimi të ishte turk, pasi shprehjet që publikoi ishin në turqisht. Pas shumë përpjekjesh ajo arriti ta rifitonte adresën e saj.
Venera ishte pasditen e djeshme te “Rudina” së bashku me partnerin, Lind Islamin, dhe mes të tjerash ka folur në lidhje me temën e Instagramit. Këngëtarja ka treguar se gjithçka nisi kur vendosi fjalëkalimin që iu kërkua në një link. Gjithçka ishte mashtrim dhe ajo ra pre e një hakeri.
Venera dyshon se personi që i mori Instagramin është turk por bashkëvepron dhe me shqiptarë. “Është thjesht një gabim i imi, mendoj unë, që duhet të tregohesha pak më e kujdesshme. Por isha aq shumë e lodhur nga një natë përpara në koncert, saqë kur u zgjova në mëngjes më kishte ardhur një email i cili më kërkonte që të verifikoja edhe njëherë Instagramin tim për shkak të copyrights, edhe klikova një link i cili më kërkoi të shkruaja emrin tim edhe passwordin.
Nga ky moment mua m’u shkëput çdo gjë, s’kisha akses fare. Ka qenë një muaj goxha stresues për mua sepse kisha telefonata të ndryshme nga njerëz që pretendonin se do më ndihmonin. Nga ana tjetër mendonin gjëra të këqija. Ka qenë një periudhë goxha stresuese, por që unë arrita ta rifitoj. Besoj që ka një lidhje mes shqiptarëve dhe një hakeri që ishte turk.
E kam rikthyer vetë. I kam ndjekur të gjitha hapat që duhet bërë për të rikthyer një account të hakuar edhe e kam rikthyer. Nga Facebook-u im u rikthye dhe Instagrami. Disa më kanë ndihmuar, disa të tjerë pastaj më kanë futur edhe më thellë. Kam frikën e kësaj se mos ndoshta kishin kontakt me hakerin kryesor”, tha Venera.
Fraksion.com