Gjithë vëmendja te Huawei
Nga Clifford Coonan
Por Huawei mbetet një nga sipërmarrjet më të diskutueshme në botë dhe një faktor kryesor në luftën tregtare midis Kinës dhe SHBA. Sepse dy ekonomitë më të mëdha në botë luftojnë edhe për epërsi teknologjike – në këtë kuadër 5G është një armë e rëndësishme taktike.
Sa cilësor është me të vërtetë Huawei?
Tek ekspertët e sigurisë kibernetike, po shtohet shqetësimi se në vende si Gjermania, janë në radhë të parë aspektet ekonomike që ndikojnë në vendimin për përqafimin e teknologjisë 5G të Huaweit.
Prandaj, duhet shtruar seriozisht pyetja: sa cilësor është me të vërtetë Huawei? Sipërmarrja me qendër në Shenzhen është një nga tre lojtarët kryesorë ndërkombëtarë në fushën e 5G. Dy të tjerët janë Ericsson dhe Nokia. Por midis ofruesve të telekomunikacionit Huawei ka reputacionin se është i lirë dhe i shpejtë. Përveç kësaj, Pekini është i gëzuar për “kampionin kombëtar” dhe ndihmon kudo që ka mundësi.
Sepse Kina kishte humbur më parë në garën për futjen e teknologjive 4G. Pas kësaj, Republika Popullore filloi të investojë miliarda tek Huawei – në formën e subvencioneve dhe granteve. Për shkak të rregullave të konkurrencës në BE, Ericsson dhe Nokia nuk i patën të njëjtat përfitime.
Por teknologjia e Huaweit ka disa kritikë: “Kina ishte më e mirë në marketing, ofroi çmime më të ulëta për të gjithë gamën e 5G, por vlerësimi i kohëve të fundit në BE për 5G ka treguar se inxhinjeria e programeve të tij, e softuerit, është e një cilësie të dobët dhe ka pika të dobëta në shumë nivele”, thotë Nate Snyder, ekspert i sigurisë kibernetike që ka punuar për Ministrinë e Brendshme të SHBA nën Barack Obaman.
Ai që qesh në fund është i treti?
Në maj qeveria amerikane e përfshiu në listën e zezë Huawein për shkak të rezervave lidhur me sigurinë kombëtare – hap që i ndalon kompanitë amerikane të furnizojnë Huawei-n me pjesë përbërëse të caktuara. Në të njëjtin muaj, edhe Ericssoni dhe Nokia morën porosi për 5G nga koncerni japonez Softbank. Atje ata zënë vendin e Huaweit. Ericsson nënshkroi në mars një marrëveshje të ngjashme me kompaninë më të madhe telefonike TDC të Danimarkës. Për të po ashtu ishte Huawei që kishte punuar që viti nga 2013.
Për shkak të përfshirjes në listën e zezë të SHBA, Huawei synon të zvogëlojë varësinë nga teknologjitë e huaja. Vitin e kaluar, Huawei vendosi një rekord të ri, duke bërë 5405 aplikime për patentë brenda një viti. Një studim i firmës kërkimore Patent Result, me qendër në Tokio tregon megjithatë se vetëm 21 përqind e patentave të paraqitura nga Huawei mund të konsiderohen shumë inovative. Për krahasim: te Inteli janë 32 përqind dhe prodhuesi i chips elektronike Qualcomm arrin madje 44 përqind.
Në lidhje me përparësinë e Huaweit te 5G, Tom Uren, analist në Institutin Australian të Politikave Strategjike (ASPI), pyet: “A është ide e mirë që të kesh një teknologji kritike bazë të kontrolluar nga një shtet që ka një histori spiunazhi të gjerë në internet?” Ureni është i sigurtë se aktorë shtetërorë përpiqen të bëjnë të mundur spiunazhin përmes rrjeteve 5G.
Kush fshihet pas Huaweit?
Megjithë fushatën masive publicitare , Huawei duhet të shpjegojë se kujt i përket saktësisht sipërmarrja, si drejtohet dhe a është e pavarur nga partia në pushtet. Pyetja e fundit të vjen natyrshëm, kur shikon rastësitë e çuditshme: për shembull, kur u arrestua Meng Wanzhou, vajza e themeluesit të Huaweit vitin e kaluar në Vancouver, Pekin arrestoi atëherë dy diplomatë të rangut të lartë – gjoja për spiunazh.
Përveç kësaj, Huawei bashkëpunon në teknologjinë e sigurisë në rajonin Xinjiang, ku më shumë se një milion njerëz, kryesisht myslimanë, mbahen në strehime të imponuara. Koncernin gjithashtu e paditi Cisco dhe Motorola, për vjedhje të pronës intelektuale.
Merkel shkakton habi
Ndoshta për shkak të të gjitha këtyre kritikave, kancelarja Angela Merkel tërhoqi shumë vëmendjen, kur vendosi ta linte Huawein të merrte pjesë në ndërtimin e rrjetit gjerman 5G.
Hapi i Merkel zemëroi edhe SHBA, të cilat kërcënuan se do ta ulin në një rast të tillë bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Për të qetësuar kritikët e saj, Merkel këmbënguli për një “marrëveshje mosspiunimi” nga Huawei.
Se si do të zbatohet kjo, është e paqartë. Sepse sipas Ligjit Kinez të Sigurisë Kombëtare të vitit 2017, kompanitë janë të detyruara të “mbështesin punën e shërbimeve informative”. Ligji gjithashtu udhëzon qartë, që të mos zbulohet bashkëpunimi me shërbimet informative kineze.
Kështu Huawei mbase mund të jetë i përgatitur për të mbizotëruar universin e 5G. Megjithatë, koncerni dhe afërsia e tij me Pekinin duhet parë me vëmendje. Ka pak gjasa që kompania të shpërtojë nga reputacioni i marrësit të porosive të Pekinit./DW
Fraksion.com