FNSH dhe RENEA aksion ‘Blic’ në 5 qytete për atentatin ndaj prokurorit Ndoja; Shoqërohen 14 persona
Katër ditë nga ngjarja që trazoi vendin lidhur me atentatin ndaj Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe të fortit të Shijakut Landi Muharremi, FNSH, Renea dhe Policia e Durrësit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë vijuar kontrollet në 20 banesa në 5 qytete të ndryshme, Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar 14 persona të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë. Ndërsa vijon të jetë i ndaluar i dyshuari kryesor për këtë ngjarje, nga Fushë-Kruja 34-vjeç . Sipas burimeve të Report Tv ka prova të mjaftueshme që e fajësojnë në ngjarje, por priten edhe rezultatet nga ekspertiza për provat e gjetura në automjet për të thënë fjalën e fundit.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur.
Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një ‘Benz CLS’ që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që njihet me disa emra ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Fraksion.com