Johnson refuzon propozimin për koalicion me Nigel Farange
Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, ka refuzuar propozimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump se duhet të bashkëpunojë me partinë e Brexit-it të Nigel Farange në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Johnson theksoi se është “mirënjohës për këshillën”, por se nuk dëshiron të bëjë pakte parazgjedhore.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ditë më parë kishte thënë se Farage dhe Johnson do të ishin “një forcë e pandalshme”.
Në anën tjetër, Farage kishte kërkuar nga kryeministri Johnson që të tërhiqet nga marrëveshja për Brexit-in dhe të bashkohen në një aleancë të përbashkët të largimit.
Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor, pas shtyrjes edhe një herë të afatit për largim nga Bashkimi Evropian deri më 31 janar 2020.
Johnson shpreson se do të fitojë shumicën e ulëseve, në mënyrë që të miratojë në Parlament marrëveshjen e arritur me BE-në, ndërkohë që Jeremy Corbyn i Partisë Laburiste ka premtuar se do të organizojë referendum të ri, nëse fiton pozitën e kryeministrit.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë në ditën e shpalljes së zgjedhjeve se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit, por edhe të gjithë shtetit.
Ndërkaq, lideri i laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn është zotuar për të “transformuar” Britaninë teksa ka nisur fushatën zgjedhore.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Fraksion.com