Atentati ndaj prokurorit; Ja gjurmët që mund të zbulojnë autorët
Më pak se 60 sekonda ka zgjatur atentati ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku dhe të fortit të Sukthit Landi Muharremi. Sipas hetuesve dy atentatorët kanë ditur se Ndoja dhe Muharremi udhëtonin në atë mjet pasi i kanë ndjekur ata për disa orë përgjatë paradites së të premtes dhe deri sa kanë hapur zjarr.
20 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo njihen si persona me precedent penal në qarkun e Durrësit janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje por ende askush s’është i ndaluar dhe mes të liruarve pas deklarimeve të dhëna janë Plarent Dervishi dhe Julian Mece.
Para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar me bashkë me shoferin Andi Maloku dhe të ‘fortin’ e Sukthit, Landi Muharremin në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë në autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë.
Pas breshërisë së tetë plumbave makina ka dalë nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private, një ‘Benz CLS’ që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, po marrin trajtim në spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Fraksion.com