Rusia forcon kontrollin në internet
Një ligj që parasheh kontrolle të reja në internetin në Rusi, hyri në fuqi të premten.
Ligji i ashtuquajtur “Interneti sovran” është miratuar nga ligjvënësit dhe është nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, disa muaj më parë.
Ai u kërkon ofruesve të internetit të instalojnë pajisje që mund të drejtojnë trafikun në internetin rus, përmes pikave që kontrollohen nga shteti.
Mbështetësit e ligjit thonë se ai do ta bëjë segmentin rus të internetit – të njohur si Runet – më të pavarur.
Sipas tyre, masa është e nevojshme për ta mbrojtur Rusinë përballë sulmeve potenciale kibernetike.
Por, kritikët thonë se ligji do të çojë në censurë dhe se do të lejojë mbikëqyrje më të madhe të përdoruesve të internetit nga agjencitë ruse të inteligjencës.
Shumë të tjerë e shohin ligjin si pjesë të një fushate të qeverisë për të parandaluar përdorimin e internetit, për të organizuar protesta ose për të inkurajuar mosbindjen civile.
Zyrtarët rusë këmbëngulin se ligji është një masë mbrojtëse, e nevojshme për t’i parandaluar Shtetet e Bashkuara që të paaftësojnë Runet-in.
Fraksion.com