Kuvendi i tërheq vëmendjen e qeverisë: Të rritet përgjegjësia për administrimin e buxhetit dhe detyrimet e prapambetura
Pasi ka shqyrtuar aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2019, Parlamenti nëpërmjet Komisionit të Ekonomisë i ka kërkuar qeverisë që të tregohet më e vëmendshme në drejtim të administrimit buxhetor sidomos në detyrimet e prapambetura dhe realizimin e planit te të ardhurave.
Komisioni sugjeron që, për periudhën e mbetur të vitit, strukturat ekzekutive të rrisin më tej përpjekjet në drejtim të përmirësimit të administrimit fiskal, realizimit të detyrimeve kontraktore të projekteve të investimeve publike, thellimit të reformave strukturore, si dhe objektivave të tjera afatmesme, për të arritur rezultatet e parashikuara në treguesit makroekonomikë e fiskalë të vendit.
Kuvendi kërkon që për periudhën e mbetur të vitit të respektohen detyrimeve kontraktore në fushën e investimeve publike nga të gjitha njësitë buxhetore. Gjithashtu, kërkohet të rishikohen politikat fiskale dhe standardet, me qëllim që ashtu si në pushtetin vendor, tregues pozitivë për investimet publike të arrihen edhe në investimet e pushtetit qendror.
Kuvendi kërkon të përshpejtohen procedurat për kryerjen e reformës së fiskalizimit, duke filluar që nga dërgimi në Kuvend dhe miratimi i projektligjit për këtë çështje dhe duke vijuar me aktet nënligjore dhe zbatimin me korrektësi të kuadrit ligjor e nënligjor. Sipas deputetëve në Komisionin e Ekonomisë zbatimi i kësaj reforme do të sjellë përmirësimin e administrimit tatimor, mbledhjen më efikase të të ardhurave, si dhe thellimin e luftës kundër konkurrencës së pandershme dhe informalitetit në ekonomi.
Komisioni parlamentari formuloi një rekomandim të shkruar ku rithekson kërkesën e tij të mëparshme që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të analizojë treguesit, si dhe të parashikojë një bonus për shpërblimin e pensionistëve dhe shtresave të tjera në nevojë për festat e fundvitit.
Gjithashtu analiza dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura, për pjesën e mbetur të vitit, mbetet nje detyrë tjetër e të gjitha strukturave buxhetore.
Kuvendi kërkoi që Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të përgatisë informacionin mbi realizimin e pritshëm të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit për vitin 2019. Ky informacion t’i paraqitet Komisionit për Ekonominë dhe Financat përpara dërgimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2020, me qëllim që t’i shërbejë analizës për parashikimin e treguesve të projektbuxhetit vjetor e afatmesëm./monitor
Fraksion.com