AktualitetTë fundit

Fshehu ndalimin në Greqi: KQZ vendos sot për ‘fatin’ e Kajmakut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar mbledhjen, ku do të vendosë lidhur me kërkesën që Prokuroria e Përgjithshme, kërkon heqjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Anëtarët e KQZ do të marrin në shqyrtim kërkesën e prokurorisë, e cila duke iu referuar përgjigjeve të Interpol ka kërkuar shkarkimin e të zgjedhurit në 30 qershor.

Më herët Partia Demokratike ka shprehur shqetësimin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zvarriste shqyrtimin e çështjes.

Në shkresën dërguar këtij institucioni selia blu shprehet se nga Interpol është vërtetuar se Agim Kajmaku ka mbajtur emrin Jorgo Toto në Greqi dhe është ndaluar në vitin 2003 për falsifikim kartëmonedhash.

Madje në deklaratë thuhet se kryebashkiaku ka pasur dijeni të plotë edhe se ka qenë në kërkim ndërkombëtar, por këto të dhëna nuk i ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.

Një javë më parë, në emisionin “Opinion”, Kryeministri Rama premtoi se maxhoranca do të bëjë dy ndryshime kryesore në Reformën Zgjedhore.

Së pari, kush gënjen në formularin e dekriminalizimit,do të dënohet me burg dhe kandidatura nuk do të regjistrohet një ditë para fushatës, por një muaj më parë me qëllim që të ketë sa më shumë kohë që të verifikohet pastërtia e figurës së çdo kandidati.

 

Fraksion.com