Christine Lagarde do të ketë punë të vështirë në BQE
Christine Lagarde nuk do ta ndryshojë Bankën Qendrore Evropiane. Ajo nuk do të ndryshojë politikën e paraardhësit, Mario Draghi, por stilin e drejtimit dhe komunikimit.
Por 63-vjeçari nuk ka fije dyshimi se shefja e re e BQE do të ketë një komunikim më të mirë dhe do të trajtojë më seriozisht në vendimet e saja politikën e interesit zero. Kjo nënkupton edhe masa ndaj politikës ekspansive financiare të BQE. Edhe në kohën sa ishte shefe e FMN-së, ajo u ka besuar ekspertizave të ekonomistëve dhe ekspertëve për komunikim më të mirë me jashtë.
Komunikuese gjeniale
Shefi i bankës finlandeze, Olli Rehn është i bindur se përvoja e Lagarde në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) me 189 vende anëtare, me siguri që do ta ndihmojë në postin e ri. “Ajo ka aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe raporti me tregjet financiare, vendimmarrësit politikë dhe shoqërinë civile, që janë shumë të rëndësishme.” Edhe kolegu i tij në Këshillin e BQE, francezi Benoit Coeuré, e vlerëson shumë përvojen e ish-ministres dhe shefes së deritanishme të FMN. “Ajo e di se si funksionon ekonomia globale, e di si funksionon Evropa dhe si duhet të komunikojë me tregjet financiare.” Madje edhe kundërshtarët e saj në çështjet financiare, si ish-ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, nuk kanë fjalë negative për Lagarde. Ajo di të gjejë zgjidhje me partnerët në negociata edhe për çështjet më të vështira, duke dëgjuar gjithmonë edhe njerëzit e tjerë se çfarë mendojnë.
Pasojat e politikës së Draghit
Ajo deri tani nuk ka deklaruar se çfarë do të bëjë ndryshe nga Draghi. Por Christine Lagarde duhet ta ketë të qartë se duhet të hartojë një plan B, për rastet e krizës së monedhës së përbashkët. Thomas Mayer është një nga ekonomistët më të njohur gjermanë. Ndër tjerash ka punuar edhe në FMN në Uashington, Bankën e Investimeve Goldman Sachs në Londër dhe Deutsche Bank në Frankfurt, ku ka qenë shef. Sot punon për sipërmarrjen e menaxhimit të pasurive Flossbach von Storch në Köln, ku drejton një institut. Mayer sugjeron që Lagarde të përgatitet mirë për krizën e re të mundshme të euros. “Ajo duhet të mendojë mirë për alternativat e ndryshme në rast krize. Ajo duhet të jetë e gatshme në rast të ndonjë dështimi eventual të euros”, thotë Mayer në intervistë me Deutsche Wellen.
Mayer ka frikë se Lagarde, si ish-ministre franceze e Financave, nuk do të marrë vendimet e duhura në rast të ndonjë krize të re të euros, të shkaktuar nga turbulencat në Itali për shembull. “Ndryshe zonja Lagarde mëson shumë shpejt, gjë që e ka dëshmuar edhe gjatë karrierës së saj. Duhet të shpresojmë se ajo i sheh me kohë sfidat dhe përgatitet për zgjidhjen e problemeve.”
Dalja nga qorsokaku
Një nga sfidat më të mëdha për Lagarde do të jetë politika ekspansive financiare me interesa të ulëta apo interesa në minus, që paraqet një rrugëtim në një terren të panjohur, mendojnë kritikët. Kjo i ngjan rrugëtimeve të para 500 viteve, kur janë zbuluar kontinente dhe shtete të reja. Ekonomistët janë në veçanti të shqetësuar me nivelin e interesave, sepse kjo ndërlidhet me domosdoshmërinë e blerjeve të bonove të shtetit, në vlerë prej qindra miliarda euro. Ndaj Lagarde duhet të mendojë mirë alternativat e mundshme.
Presioni ndaj BQE dhe Christine Lagarde me siguri që nuk do të zvogëlohet. Përkundrazi: Në fillim të tetorit është publikuar një memorandum i ish-krerëve të bankave të shteteve të ndryshme, ku ata thonë se do t’i përcjellin me vëmendje zhvillimet në BQE. Ndër nënshkruesit nuk janë vetëm gjermanët e njohur si Otmar Issing, Helmut Schlesinger dhe Jürgen Stark, por edhe ish-shefi i bankës qendrore franceze Herve Hannoun.
Organizata për shërbime financiare gjermane BaFin ka shkuar madje kaq larg sa që u ka bërë thirrje të siguruarve në Gjermani që të protestojnë kundër përqindjeve tepër të ulëta të interesave në Eurozonë. “Ka ardhur një pikë ku pjesëmarrësit në tregje duhet të bëjnë të qartë, se zhvillimet në tregje rrezikojnë kontributet për pensione”, thotë drejtori ekzekutiv i BaFin Frank Grund. Uljet e fundit të interesave kanë shtuar edhe më shumë presionet. Kjo politikë e interesave minus ka rrezikuar shumë fonde të pensioneve. Kritikët e BQE kanë dërguar edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin që prej 1 nëntorit, të blihen në muaj bono shtetërore në vlerë deri në 20 miliardë euro. Ky ishte vendimi i fundit i Mario Draghit, të cilin e ka marrë megjithë kundërshtimet e shumta të Këshillit të BQE. Lagarde tani do të përballet me pasojat./DW
Fraksion.com