AktualitetPolitikëTë fundit

Fleckenstein: Një shumicë shumë e qartë e Parlamentit dhe Komisionit dëshiron ta ketë Shqipërinë në BE

“Vendimi i Këshillit Europian nuk ishte një zhgënjim vetëm për popullin shqiptar dhe popullin e Maqedonisë së Veriut, por ishte një zhgënjim i qartë edhe për Parlamentin Europian, për Komisionin sepse të gjithë ishin të qartë dhe të sigurt se tani ishte koha për të filluar këto negociata”, deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ish euro-deputeti i SPD-së dhe zëdhënësi i Punëve të Jashtme për socialdemokratët në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.

Ne, vijoi ish raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Fleckenstein, “duhet të diskutojmë me Këshillin, sesi ta rikthejmë besueshmërinë ndaj unionit, sepse ne nuk mund t’u kërkojmë vendeve të plotësojnë kriteret, dhe të mos jemi të përgatitur për të bërë të njëjtën gjë edhe nga ana jonë”.

Në lidhje me ecurinë e reformave në rrugëtimin e tyre drejt BE që duhet të ndjekin tashmë dy vendet, Fleckenstein theksoi se, “mendoj se ata thjesht duhet të bëjnë reformat e nevojshme, për të pasur një jetë më të mirë në Shqipëri, për të patur një jetë më të mirë në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha këto reforma nuk janë për të kënaqur Z. Juncker apo Znj. Von der leyen, këto reforma do iu vijnë në ndihmë njerëzve që jetojnë këtu. Kështu që unë vetëm mund ta inkurajoj qeverinë ddhe Parlamentin të vazhdojë me këtë punë.

Nga ana tjetër, shtoi ai, “ne në Bashkimin Europian duhet të flasim shumë seriozisht me Z. Macron dhe të tjerët, sesi ata mendojnë se mund t’i japim një perspektivë rajonit sepse një shumicë shumë e qartë e Parlamentit dhe Komisionit dëshiron ta ketë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Kjo është çështje kohe, me shumë mundësi”.

Në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe reformën elektorale, Fleckenstein u shpreh se, “nuk mund të jap ndonjë këshillë për opozitën ose për mazhorancën, por di që edhe në të kaluarën disa politikanë kanë punuar shumë seriozisht për këtë reformë zgjedhore, nga të dy palët. Dhe me të vërtetë shpresoj që tani reforma elektorale nuk do të bllokohet sërish, por do të jepet një mundësi për të pasur një qëllim të përbashkët dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme para së gjithash për popullin shqiptar dhe më pas për rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”./atsh

 

Fraksion.com