Basha me drejtorin e NDI-së për Europën Juglindore: Zgjidhja e krizës kalon përmes zgjedhjeve të lira
“Zgjidhja e krizës kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me drejtorin e NDI-së për Europën Juglindore, Robert Benjamin.
Basha, theksoi se me drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan NDI, Robert Benjamin diskutoi krizën politike në vend.
“Derisa të jetë anëtare e Bashkimit Europian, para zgjedhjeve Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë do t’i pritet rruga presionit ndaj votuesve dhe ndaj administratës, keqpërdorimit të fondeve publike dhe aseteve shtetërore dhe rolit të personave me rekorde kriminale dhe grupeve kriminale. Ndarja e politikës nga krimi është jetike për votën e lirë”, shprehet ai.
Në takim me Drejtorin e NDI për Europën Juglindore, Robert Benjamin, Basha ka shprehur shqetësimin për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Ndava shqetësimin e opozitës për vonesat në ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar që pasuritë që ka vendi dhe potencialin e jashtëzakonshëm njerëzor t’i vëmë në të mirë të qytetarëve dhe jo në funksion të një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh”, shprehet ai.
Po ashtu, Basha i ka shprehur drejtorit të NDI për Europën Juglindore, Robert Benjamin shqetësimin për zgjidhjen e krizës politike dhe kontributin e opozitës.
“Me ndihmën e çmuar të SHBA do të arrijmë ta kthejmë Shqipërinë në një demokraci funksionale dhe pasuritë e saj në zhvillim dhe mirëqenie për çdo familje shqiptare. Përfaqësuesit e Institutit Demokrat ndanë shqetësimin me të cilin po ndiqet në SHBA kriza politike në vend dhe konfirmuan gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre për zgjidhjen e saj dhe forcimin e demokracisë”, thotë Basha
Fraksion.com