“21 janari të shpallet festë kombëtare”; Opozita parlamentare: Është si 28 nëntori
“Kërkoj që 21 janari për rëndësinë që ka kjo datë, të shpallet festë kombëtare siç është 28 nëntori apo festat e tjera. Kërkoj votën pro të anëtarëve të këtij komisioni”. Kështu ka deklaruar deputeti i opozitës parlamentare Myslim Murrizi në mbledhjen e sotme të komisionit të ligjeve ku po shqyrtohet projektligji për festat zyrtare.
Bëhet fjalë për 21 janarin e 1920-ës, dita kur u Mblodh Kongresi i Lushnjës në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Deputeti socialist Alket Hyseni, relator i projektligjit tha se propozimi për 21 janarin si festë zyrtare është bërë nga 22 deputetë. Hyseni e vlerësoi këtë datë si një moment me rëndësi në histori, por tha se çdo vend ka një numër limit të festave zyrtare dhe Shqipëria ka më shumë se çdo vend. Ai deklaroi se një festë më shumë do kishte efekt në buxhet.
“Propozimi për të shpallur 21 janarin si festë zyrtare ka qenë një nismë më e hershme. Kongresi i Lushnjës është një moment me rendësi në histori. Çdo vend ka një numër limit të festave zyrtare. Kemi 14 festa, më shumë se çdo vend i rajonit. Përcaktimi i festës, ditë pushimi për institucionet shoqërohet me efekte financiare. Një dite tjetër feste zyrtare rëndon buxhetin”, deklaroi Hyseni.
Por deputeti Murrizi tha se asnjë festë zyrtare nuk e ka rëndësinë e Kongresit të Lushnjës, duke e barazuar me 28 nëntorin.
“Kjo është një kërkesë që më ka ardhur nga 41 anëtarë të këshillit bashkiak të Lushnjës. Ata që kanë shkruar 5 libra e barazojnë një më një me 28 nëntorin”, theksoi ndër të tjera Murrizi.
Në komision pati dhe debate mes kryetarit Ulsi Manja dhe kreut të Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi. Ky i fundit tha se “PS është pasuese e Partisë Komuniste Kriminale”.
Nga ana tjetër Manja i kërkoj të mos fyejë. “Ruaj etikën, mos fyej Partinë Socialiste. PS është votuar nga shqiptarët”, u shpreh Manja.
Fraksion.com