“PS të reflektojë sa nuk është vonë”; Basha: Kemi ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kriza
Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas takimit me raportuesit e KiE-s duke nënvizuar sërish mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si rruga e vetme për ecjen përpara të vendit.
Basha tha se është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin duke vendosur interesat e vendit para atyre politike. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë.
“Tek zgjidhja e krizës politike dhe gatishmëria e opozitës për të dhënë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që do t’u kthejë sovranitetin qytetarëve dhe do iu kthejë votën qytetarëve dhe do të mundësojë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare një parlament legjitim, një qeveri legjitime, sundimin e ligjit, demokracinë, si kushtet për një bashkëjetesë demokratike për mirëqenie, për punësim, për ekonominë dhe punësimin që duan të gjithë qytetarët dhe po kështu për hapjen e rrugës së bllokuar drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Basha.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për kreun e PD nuk është çështje mendimi apo dëshire.
“Është një çështje vullneti e të gjitha palëve. PD dhe opozita e bashkuar kanë prezantuar një plant të qartë prej 5 pikash për të përshpejtuar fazën e parë, atë të reformës zgjedhore dhe pastaj duke iu garantuar qytetarëve shqiptarë lirinë e votës, duke iu garantuar qytetarëve shqiptarë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbajtja sa më parë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në Shqipëri janë përvijuar qartësisht 2 qëndrime, qëndrimi i një shumice absolute, jo thjesht dhe vetëm të opozitës por edhe vetë socialistëve që kështu nuk mund të vazhdohet më, që kjo situatë është e paqëndrueshme, e padurueshme, duhet nëj zgjidhje dhe i një pakice absolute që nuk do ndryshim. Do ta mbajë Shqipërinë në këtë gjendje sepse në këtë gjendje vazhdojnë të përfitojnë përmes korrupsionit, përmes veprimtarisë kriminale qindra milionë euro”, theksoi kreu i PD.
Basha tha më tej se dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, duke përfshirë dështimin me hapjen e negociatave po i paguajnë shqiptarët. “Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.
Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara.
PS të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksioner”, deklaroi Basha.
Fraksion.com