Dy ekspertë të Departarmentit të Shtetit për Ukrainën, dëshmojnë para ligjvënësve
Dy ekspertë të Departamentit të Shtetit për Ukrainën pritet të dëshmojnë të mërkurën para anëtarëve të Kongresit, në hetimin për procesin e shkarkimit të Presidentit, një ditë pasi një oficer i ushtrisë, anëtar i personelit të Këshillit të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë tha se kishte qenë aq i shqetësuar që Presidenti Donald Trump kishte nxitur Ukrainën të hetonte kundërshtarët e tij politikë, saqë kishte njoftuar eprorët e tij.
Kolonel Lejtnant Alexander Vindman u tha komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve të martën se ai ishte një nga personat që kishte dëgjuar telefonatën e 25 korrikut të Presidentit Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Më shqetësoi telefonata. Nuk e mendoja se ishte e rregullt t’i kërkosh një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan. Më shqetësonin pasojat që mund të kishte tek ndihmat amerikane për Ukrainën”, tha zoti Vindman.
Telefonata mes dy presidentëve ëshrtë në qendër të përpjekjeve të demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të ndërmarrë procesin e shkarkimit të zotit Trump, pasi i kishte kërkuar Kievit të hetonte akuzat se Ukraina ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, në favor të demokratëve, si edhe korrupsionin e mundshëm të kandidatit demokrat për president Joe Biden dhe të birit të tij, Hunter, që punonte për një kompani ukrainase gazi.
Nuk kanë dalë të dhëna që të mbështesnin asnjë nga akuzat.
Demokratët duan të dinë nëse zoti Trump kishte bllokuar 400 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, me kushtin që zoti Zelenskiy të binte dakord me hetimet.
T’i kërkosh një qeverie të huaj të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane dhe të kërkosh diçka në këmbim të diçkaje tjetër, ose “quid pro quo”, janë shkelje që mund të justifikojnë procesin e shkarkimit.
“E dija se nëse Ukraina hetonte zotin Biden dhe të birin si dhe kompaninë Burisma, mund të interpretohej si manovër partiake dhe pa dyshim do të sillte si rezulat humbjen e mbështetjes dypartiake për Ukrainën. Kjo do të minonte interesat e sigurisë kombëtare për Amerikën”, shprehej zoti Vindman, eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në dëshminë e përgatitur.
“Ia transmetova disa shqetësime zyrtarëve të sigurisë kombëtare, bazuar në përvojën dhe përgatitjen time prej disa dekadash, ndjenjës së detyrës dhe detyrimit për të vepruar brenda hierarkisë”, tha ai.
Zoti Vindman është një imigrant ukrainas-amerikan, që është plagosur nga një bombë ndërsa shërbente me ushtrinë amerikane në Irak.
Që para se ai të dëshmonte zoti Vindman, presidenti Trump e shpërfilli në Twitter.
“Pse po dëshmojnë për telefonatën, njerëz për të cilët nuk kam dëgjuar kurrë? Thjesht LEXONI TRANSKRIPTIN E TELEFONATËS DHE LOJA E SHKARKIMIT MERR FUND! Ukraina tha se nuk kishte pasur PRESION.”
Disa republikanë kritikuan komentet e tij fyese ndaj një ushtari amerikan.
Anëtarja republikane e Kongresit, Liz Cheney e quajti “të turpshme” të kritikohej pattriotizmi i zotit Vindman, ndërsa Senatori Mitt Romney tha se fjalët e zotit Trump ishin “absurde, të neveritshme dhe aspak tp vërteta”.
Zoti Trump e ka quajtur hetimin për procesin e shkarkimit të paligjshëm, pasi nuk është bërë një votim i gjithë Dhomës së Përfaqësuesve për ta kryer atë, megjithëse ligji nuk e kërkon një gjë të tillë. Shtëpia e Bardhë është ankuar se dëshmitë po mbahen me dyer të mbyllura, gjë që është një praktikë rutinë për çdo hetim të stilit të jurisë së madhe.
Për t’iu përgjigjur shqetësimeve republikane, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi do të mbajë një votim të enjten për një rezolutë ku detajohen rregullat e hetimit.
Kjo do t’i jepte qartësisht pakicës republikane mundësi të barabartë për të marrë në pyetje dëshmitarët, për të kërkuar dëshmi me shkrim dhe për të kërkuar zyrtarisht paraqitjen e dëshmitarëve dhe dokumentat.
Zonja Pelosi thotë se do që “të elimonojë çdo dyshim” për procesin./VOA
Fraksion.com