Demokratët prezantojnë hapin e ardhshëm në hetimet për shkarkim të Trumpit
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë publikuar një rezolutë, përmes së cilës kanë bërë të ditur hapat e ardhshëm në hetimet e tyre për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Ky dokument tregon se faza e ardhshme do të jetë më publike dhe se rolin kryesor në seanca do ta ketë udhëheqësi i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff.
Ky trup, i kontrolluar nga demokratët, do të votojë për fazën e dytë të hetimeve në ditën e enjte.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se rezoluta është “mashtrim jolegjitim”.
Deri më tani, seancat janë mbajtur me dyer të mbyllura. Votimi i nesërm kërkon vetëm që procesi i shkarkimit të bëhet publik dhe nuk është votë nëse duhet shkarkuar presidenti.
Republikanët kanë kritikuar demokratët për seancat e mbyllura deri në këtë pikë, në të cilat kanë marrë pjesë edhe deputetët republikanë.
Mirëpo demokratët kanë thënë se iu është dashur të mbledhin më shumë të dhëna para fazës publike, duke mohuar pretendimet se kanë vepruar në mënyrë sekrete.
Presidenti amerikan, Donald Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të kryer hetime rreth disa pretendimeve për korrupsion kundër rivalit të tij politik, Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter, i cili ka punuar në kompaninë ukrainase të gazit, Burisma.
Trump ka mohuar çdo keqbërje dhe i ka cilësuar hetimet për shkarkim si “gjueti shtrigash”.
Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.
Fraksion.com