Aarrestohet punonjësi i policisë: Shiste sende të vjedhura, ia siguronte i vëllai në Gjermani
Një punonjës policie ka rënë në pranga, pasi akuzohet se shiste sende të vjedhura, që ia siguronte vëllai i tij, emigrant në Gjermani. Mësohet se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Hamburgut, dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Laç arrestuan shtetasin me inicialet E.I., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.
Hetimi në Gjermani
Gjithçka nisi pas një hetimi të kryer nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal. Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe po ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.
Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg. Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç.
Mësohet se nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje kuzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Këto sende dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman. Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.
Fraksion.com