AktualitetBota+Të fundit

Kush është dëshmitari kyç i hetimit kundër Presidentit Trump?

Kolonel Lejtnant Alexander Vindman ka qenë oficer i këmbësorisë amerikane në disa fushata ushtarake jashtë vendit. Ai është nderuar me medaljen “Zemra e Purpurtë” (Purple Heart) pasi u plagos në Irak nga një bombë e vendosur në anë të rrugës. Alexander Vindman ka shërbyer në ambasadat amerikane në Kiev dhe në Moskë dhe ka mbuluar çështjet politiko-ushtarake me Rusinë në Pentagon.

Por është pozicioni i tij më i fundit, si eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, që e vendosi atë në epiqendër të vëmendjes, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate po vazhdon hetimet që mund të çojnë në ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, shkruan VOA.

Zoti Vindman ishte ndër personat që dëgjuan bisedën telefonike të 25 korrikut, gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkoi Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy një “nder”, atë që të niste hetimet për një nga kundërshtarët kryesorë demokratë për zgjedhjet presidenciale të 2020-tës, ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden. Ky i fundit ishte deri këtë vit anëtar i bordit të një kompanie gazi natyror në Ukrainë.

Zoti Vindman u tha hetuesve në Kongres se u shqetësua aq shumë nga kërkesa e Presidentit Trump për Presidentin Zelenskiy që të ndërhynte në skenën politike të Shteteve të Bashkuara, saqë i raportoi komentet e presidentit tek eprorët e tij.

Tashmë Alexander Vindman është 44 vjeç. Por ai dhe vëllai i tij binjak, Yevgeny, ishin vetëm 3 vjeç kur familjet e tyre u larguan nga Ukraina, atëherë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, drejt Shteteve të Bashkuara. Vëllai i tij është gjithashtu kolonel lejtnant i ushtrisë dhe jurist për çështjet e etikës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Zoti Vindman u tha ligjvënësve që po zhvillojnë hetimet se: “sapo mbërritëm në qytetin e Nju Jorkut në vitin 1979, babai im bëri disa punë që të na mbështeste, duke mësuar anglishten gjatë orëve të natës. Ai na theksonte rëndësinë e integrimit plotësisht në vendin tonë të ri”.

Për shumë vite jeta ishte e vështirë. Por megjithë fillimet tona të vështira, familja ime punoi për të ndërtuar ëndrrën e saj amerikane. Unë vlerësoj thellësisht vlerat dhe idealet amerikane, si dhe fuqinë e lirisë. Unë jam patriot dhe është detyra ime e shenjtë e në nderin tim që t’i mbroj këto vlera dhe vendin tonë, pavarësisht çdo pale politike”.

Ai tha se ka shërbyer mbi 20 vjet si oficer i ushtrisë amerikane dhe si diplomat “me qasje jopartiake dhe me respekt e profesionalizmin të madh për administratat republikane e demokrate”.

Presidenti Trump e përshkroi zotin Vindman si ndjekës të asaj rryme që ai i ka cilësuar si “Never Trumper” që nuk kanë qenë kurrë pro tij. Ai ka ngritur pikëpyetje pse Kolonel Lejtnant Alexander Vindman iu lejua të dëshmojë si pjesë e hetimeve për shkarkimin e tij.

 

Fraksion.com