AktualitetPolitikëTë fundit

Reforma Zgjedhore, Bardhi: Mekanizëm bashkëpunimi me mazhorancën

“Kemi propozuar mekanizmin e bashkëpunimit mes palëve për realizimin e Reformës Zgjedhore”, tha sot në një prononcim për mediet, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi foli mbi mbledhjen e sotme të opozitës për Reformën Zgjedhore që ka nisur me dy tema kyçe, që lidhen me financimin e fushatës dhe të partive politike si dhe administrimit të procesit zgjedhore.

“Sigurish që ne kemi produktin e parë. Mbledhja e grupit të punës së ekspertëve të opozitës është një tregues  i qartë i angazhimit të opozitës së bashkuar në reformën zgjedhore. Ashtu siç kemi bërë të ditur se që në momentin kur reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse  dhe me kontribut të të gjitha partive politike u shndërrua në një kërkesë të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave. Opozita mori  angazhimin për të dhënë kontributin e vetë të sinqertë në këtë reformë, madje kemi propozuar dhe një mekanizëm për të patur një produkt të përbashkët edhe me palën tjetër”, tha ai.

Në vijim, Bardhi theksoi se “Reforma Zgjedhore nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e parlamentit. Reforma Zgjedhje dhe çështjet që lidhen të, me të janë përcaktim të rregullave të lojës për partitë  politike që marrin pjesë në zgjedhje”.

“Në zgjedhje nuk merr pjesë parlamenti, por partitë politike dhe do duhet të jenë partitë politike që me konsensus të përcaktojnë rregullat e lojës për pjesëmarrjen e subjekteve zgjedhore në zgjedhje. Prandaj opozita ka qenë e angazhuar plotësisht jo vetëm me propozime konkrete që lidhen me reformën zgjedhore, por dhe për të bashkëpunuar dhe dhënë kontribut të përbashkët edhe me palën tjetër”, tha ai

Po ashtu, Bardhi tha se produkti i sotëm i opozitës për të dyja çështjet është dakordësuar me konsensus të plotë të të gjitha partive të koalicionit.

“Mbledhja e ardhshme e këtij grupi punë do të jetë të hënën në orën 18:00. Pra është përcaktuar edhe një axhendë pune e grupit të  punës dhe besoj se do të kemi dhe informime të tjera lidhur me çështje  konkrete që janë diskutuar sot dhe që do të diskutohen dhe në mbledhjet e ardhshme” tha ai.

Përsa i përket produktit të mbledhjes së sotme, Bardhi tha se sot kemi përmbyllur dy çështje kryesore të Reformës Zgjedhore që lidhen me financimin e fushatës dhe të partive politike si dhe administrimin e procesit zgjedhore.

Për sa i përket mekanizmit të prezencës së ndërkombëtarëve, Bardhit tha se “ne i kemi propozuar palës tjetër një mekanizëm për t’u angazhuar bashkarisht në përmbyllje me sukses të një nga kushteve për hapjen e negociatave, Reforma Zgjedhore, por jo thjeshtë reforma zgjedhore e zbardhur në letër po një reformë e vërtetë zgjedhore është kusht për hapjen e negociatave. Për këtë arsye ne kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër, ku në fakt  duhet të ishte qeveria, mazhoranca që t’i shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në përmbushjen e këtij kushti”.

Ai shtoi se “Bundestagu e ka bërë të qartë që nuk kërkon vetëm realizimin e Reformës Zgjedhore apo të miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor por kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, ky është kushti që ka vënë  Bundestagu dhe Shqipëria duhet të përmbush për të marrë datën e fillimit të bisedimeve për hapjen e negociatave”.

“Opozita ka propozuar një mekanizëm se si mund të bëhemi bashkë për të realizuar këtë kushte të Bundestagut gjerman. E rëndësishme për opozitë është të tregojë përkushtim në përmbushjen e këtij kriteri për hapjen e negociatave. Ne po e tregojmë. Jemi në krye të detyrës në  përmbushje të përgjegjësive tona do të duhet që dhe pala tjetër të përmbush përgjegjësitë e veta”, thekson ai.

“Sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar nga pala tjetër tregon se pala tjetër ka mungesë  vullneti për të bashkëpunuar me opozitën për realizimin e Reformën Zgjedhore. Detyra jonë është që të kemi gati të kemi  kontributin për reformën zgjedhore. Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve. Të mendojë  për hapjen e negociatave me BE. Të tregojë përgjegjshmëri përpara kushteve të vendosura nga partnerët ndërkombëtar dhe të pranojë atë mekanizëm bashkëpunimi që kemi  propozuar për të patur një produkt të përbashkët të reformës zgjedhore. Produkti i përbashkët përfshinë realizimin e reformës zgjedhore, që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, tha ai.

 

Fraksion.com