AktualitetTë fundit

Operacioni i rrallë në QSUT: Zëvendësimi i ezofagut te vajza 1-vjeçare

Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, operacioni i parë i zëvendësimit të një organi që mungonte, ezofagut, me pjesë të stomakut.

Ndërhyrja e parë e këtij lloji në Shqipëri, me teknikë të avancuar, u realizua nga dr. Dritan Alushani dhe ekipi i mjekëve të Kirurgjisë Infantile.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tregon rrëfimin e nënës së Amelias, e cila ishte diagnostikuar me një defekt madhor në lindje.

“Sytë i kishim nga mjeku po shpresat po na shuheshin” – më tregoi Sonila, mami i Amelias që u diagnostikua me një defekt madhor në lindje. Por pas dy ndërhyrjesh shumë delikate, e para menjëherë pas lindjes dhe e dyta 1 vit më vonë që zgjati për 9 orë me rradhë, Amelia ia ka dalë me sukses asaj që ishte e pamundur: Të jetojë dhe të ushqehet vetë pas zëvendësimit të një organi që i mungonte, ezofagut, me pjesë të stomakut”, -thotë Manastirliu.

Pas kontrollit të fundit mjekësor pak ditë më parë, Amelia rezulton plotësisht e shëndetshme.