OKB për një botë më të mirë
Të gjithë përfitojnë nga roli që luan OKB në botë, por jo të gjithë janë të sigurt për dobinë e saj. Një debat në nivel global kërkon mendimin e secilit, mbi rolin e organizatës për krijimin e një bote më të mirë.
OKB është në fakt organizata që ka bërë bashkë 193 vende anëtare. Dhe janë vendet anëtare që marrin vendimet. Delegacionet e tyre përbëjnë organin kryesor të organizatës, Asamblenë e Përgjithshme, ku debatohen çështjet që preokupojnë botën.
Asambleja vendos edhe për buxhetin, i cili vitin e kaluar ka qenë për shembull 2,7 miliardë dollarë. Të gjitha vendet paguajnë kontributin në bazë të një formule të caktuar. Një qytetari gjerman OKB i kushton 9 dollarë në vit. Kurse në nivel botëror, çdo taksapagues paguan 1,40 dollarë në vit për OKB. Secili vend ka në Asamble të drejtën e votës në vendimmarrje. Asambleja zgjedh një herë në vit presidentin e vet dhe një herë në pesë vjet, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës. Në Asamble po ashtu zgjidhen anëtarët e përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, një organ tjetër i organizatës krah Këshillit Ekonomik dhe Social, Këshillit të Besimit (për administrimin e territoreve dhe që është inaktiv që prej vitit 1994) si dhe Gjykatës Ndërkombëtare. Përveç tyre Sekretariati, me rreth 8 mijë punonjës përbën një pjesë të rëndësishme të OKB. Gjuhët zyrtare janë krah anglishtes, frëngjishtes dhe spanjishtes, edhe rusishtja, kinezçja dhe arabishtja. Nën mbikqyrjen e organizatës 80 vende janë çliruar nga kolonizimi. Trupa nga 120 vende kanë formuar policinë dhe trupat paqeruajtëse të OKB. Rreth 1 milionë vetë kanë shërbyer nën flamurin e OKB në pikat e nxehta të konflikteve në botë.
Ndërkohë që shumë njerëz janë të bindur për rolin e rëndësishëm që luan organizata, ka edhe të tjerë që e kritikojnë atë. Prandaj në prag të 70 vjetorit të organizatës, Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres do të anoncojë fillimin e një dialogu global për rolin që luan bashkëpunimi ndërkombëtar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë. Të gjithëve u kërkohet të thonë mendimin e tyre./DW
Fraksion.com