AktualitetKosovaTë fundit

Ekspertiza kthen në hetim të ri rastin e vdekjes së Astrit Deharit

Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria konfirmon se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Me këtë konstatim, Prokuroria e kthen rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Prokuroria thotë se do t’i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme “do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinonin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjën e plotë të këtij rasti.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, theksohet në konkluzionet e ekspertizës.

“Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vëjnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN”, vijon komunikata.

Nga ajo çfarë u tha, “ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”, thekson Prokuroria.

Raporti i ekspertizës i është dorëzuar edhe familjes Dehari dhe avokatit, Tomë Gashi.

“Unë si prind tash pres nga organet e drejtësisë që të hapen hetimet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e Astritit”, tha babai i Astriti, Avni Dehari.

“Ne e kemi ditur rastin që Astritin e kanë vrarë në burg, por juridikisht nuk ka qenë e mbyllur edhe pse janë lëvduar se brenda 15 ditëve do ta përmbyllin para tri vjetëve, por u bënë tre vjet e neve na kanë zier në kazan si familje”, tha nëna e Astritit, Xhemile Dehari.

Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016./REL

Konkluzionet e raportit nga Zvicra për vdekjen e Astrit Deharit:

Konkluzionet e raportit nga Zvicra për vdekjen e Astrit Deharit

 

Fraksion.com