AktualitetTë fundit

Ibrahimi: Krijimi i SPAK në metrat e fundit

Ngritja e Prokurorisë Speciale është në metrat e fundit, vonesa vjen për shkak se pritet Vetingu për disa nga kandidatët.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ishte të premten në mëngjes i pranishëm në një seancë dëgjimorë në Komisionin e Ligjeve, në kuvendin e Shqipërisë. Ibrahimi gjatë fjalës së tij nënvizoi se ngritja e SPAK është në metrat e fundit.

“Sot kemi identifikuar dhe përzgjedhur 15 kandidatë, për të qenë pjesë të Prokurorisë së Posaçme, por këta prokurorë duhet të marrin edhe vulën e Vettingut. Në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Deri më tani, 8 prej tyre e kanë kaluar Vettingun. Është kusht, që pa kaluar Vettingun, prokurorët nuk mund të bëhen pjesë e SPAK. Gara për t’u bërë pjesë e SPAK është hapur që në janar të vitit 2019, por buxheti ynë është aktivizuar në qershor të këtij viti”-, tha Ibrahimi.

Kreu i KLP tha se nuk po bëhet vetëm Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, por paralelisht është duke u bërë edhe një mini-Veting për shumë zyrtarë të tjerë.

“Një mini-Veting po zhvillohet nga KLP, KLD, për shumë zyrtarë të tjerë. Në rastin tonë, ata që përfundojnë shkollën e magjistraturës i nënshtrohen Vettingut, para se të nisin karrierën e tyre si prokuror, por edhe çdo kandidat për pozicion karriere kalon në Vetting”-, u shpreh kreu i KLP.

I Pyetur për grupin KÇK, (Kap Ç’të Kapësh), të cituar nga Kryeministri Edi Rama, Ibrahimi theksoi se, është një akuzë e përgjithshme politike.  “Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”-, deklaroi Ibrahimi.

 

Fraksion.com