AktualitetBota+Të fundit

Marrëveshje e re për Brexitin

Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, thanë se kanë arritur një marrëveshje për Brexitin, e cila ende duhet të miratohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe parlamenti britanik.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili është zotuar se do ta largojë Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Evropian, me apo pa marrëveshje shkroi në rrjetet sociale se “kemi siguruar një marrëveshje shumë të mirë që siguron kthimin e kontrollit – tani parlamenti duhet ta përmbyllë Brexitin të shtunën”.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u bëri thirrje 27 vendeve të bllokut që ta mbështesin marrëveshjen.

Projekti i marrëveshjes u hodh e letër pas javë para afatit për largimin e Britanisë nga blloku më 31 tetor.

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian, Michel Barnier tha se “arritëm të gjejmë një zgjidhje që respekton në tërësi integritetin e një tregu të përbashkët” dhe se “është krijuar një zgjidhje ligjore që shmang kufirin e fortë dhe mbron paqen e qëndrueshmërinë në ishullin irlandez”.

Ai tha se kjo është një zgjidhje që “funksionon për BE-në, Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut”.

Por Unionistët në Irlandën e Veriut thanë se do të kundërshtojnë marrëveshjen, e cila u kundërshtua menjëherë nga laburistët britanik.

Vëzhguesit thonë se është e paqartë edhe mbështetja brenda konservatorëve të kryeministrit Johnson, ndërsa opozita mund të përpiqet ta hedh marrëveshjen në një referendum.

Parlamenti britanik në fillim të muajit shtator miratoi një ligj në një përpjekje për të detyruar zotin Johnson t’u kërkojë udhëheqësve evropianë një zgjatje të afatit të Brexitit nëse nuk arrihet një marrëveshje me shpresën për të shmangur ato që ata thonë se do të jenë efekte shkatërruese të një Brexit-i pa marrëveshje.

Paraardhësja e zotit Johnson, Theresa May, nuk arriti të sigurojë miratimin e parlamentit britanik për një marrëveshje mes qeverisë së saj dhe Bashkimit Evropian./VOA

 

Fraksion.com