AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Kandidatët demokratë mbështesin ‘shkarkimin’ e presidentit Trump

Dymbëdhjetë kandidatë demokrat për zgjedhjet presidenciale 2020, u përfshinë të martën mbrëma në një debat të ndezur duke kërkuar përballjen me presidentin Donald Trump në zgjedhjet e radhës, ndërsa demokratët në Kongres kanë hapur një hetim për procedurën e shkarkimit të presidentit.

Të gjithë kandidatët demokrat mbështesin shkarkimin ndonëse ai duket pak i besueshëm.

Në deklaratën e parë në hapje të debatit, ish nënpresidenti Joe Biden, një nga sfiduesit kryesor të presidentit Trump tha se “ky presidenti është më i korruptuari … në gjithë historinë tonë”, një vlerësim që bëri jehonë përgjatë debatit.

Një nga kandidatët kryesor, senatorja nga Massachusetts, Elizabeth Warren, tha se “nganjëherë ka gjëra që janë më të rëndësishme sesa politika. Donald Trumpi e ka shkelur ligjin. Askush nuk është mbi ligjin. Shkarkimi duhet të ecë përpara”.

Kundërshtarët e presidenti Trump hodhën disa nga sulmet e tyre më të ashpra kundër presidentit për shkak të tërheqjes së trupave amerikane nga veriu i Sirisë, duke lënë luftëtarët kurdë, të cilët ishin aleatë të amerikanëve në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, të pambrojtur nga sulmet e trupave turke që po pushtojnë veriun.

Zoti Biden e vlerësoi braktisjen e luftëtarëve kurdë nga presidenti Trump “veprimin më të turpshëm që kam parë të ketë bërë ndonjë president”.

Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, e quajti gjakderdhjen në Sirinë veriore “një krizë të shkaktuar nga Donald Trump”, ndërsa senatorja nga Minsesota, Amy Klobuchar tha se “presidenti ynë e shkaktoi atë dhe është shumë krenar për ta thënë atë”.

Debati i së martës shënoi edhe kthimin në fushatë të senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, që po merr veten nga problemet me zemrën.

Ky ishte debati i katërt i demokratëve dhe ai i radhës do të mbahet muajin e ardhshëm./VOA

 

Fraksion.com