Projeksionet e LVV-së dhe LDK-së për qeverinë me 12 ministri
Nga 21 në 12 ministri të Qeverisë së Kosovës, ky ishte zotimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore.
Zvogëlimi i numrit të ministrive, ishte një nga çështjet që i kishte ofruar këto dy parti para zgjedhjeve të 6 tetorit, edhe pse nuk arritën të bëjnë koalicion parazgjedhor.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është e para me një epërsi të ngushtë ndaj LDK-së dhe me shumë mundësi, janë këto dy parti që pritet të negociojnë rreth formimit të qeverisë së re.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekipet e ekspertëve të Vetevendosjes dhe Lidhjes Demokratike do të punojnë për harmonizimin e programit në njërën anë dhe në anën tjetër, për reduktimin e numrit të ministrive.
“Ne do ta synojmë numrin prej 12 të ministrive, ku së paku 30 për qind edhe sa i përket ministrave dhe zëvendësministrave do të jenë gra”, ka thënë Kurti.
Bazur në këto projeksione, nga 21 ministri sa kishte qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, qeveria e ardhshme pritet të përgjysmohet.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se reduktimi i ministrive do të ndodhë duke bashkuar disa ministri, duke sqaruar se ky bashkim i ministrive nuk do të nënkupton edhe reduktim të shërbyesve civilë.
“Do ta kemi objektiv të përbashkët reduktimin e ministrive ose numrin e ministrive, në 12 ose maksimum në 15, por me objektiv ose me dëshirë që ta ulim numrin e ministrive në 12. Pra, nuk po flasim për reduktim të shërbyesve civilë, por thjesht po flasim për fuzionim ose bashkim të ministrive të tanishme në 12 ministri”, ka thënë Mustafa.
Bashkimi i ministrive sipas Mustafës, do të ndodhë në momentin që formohet qeveria e re.
“Mund të marrë pak kohë derisa të bëhet riorganizimi i dikastereve të ndryshme, mirëpo kjo është një gjë që arrihet, qoftë në aspektin ligjor qoftë në aspektin administrativ dhe besoj që në momentin e parë që do të jemi në qeveri, do të fillojmë punën në këtë drejtim. Natyrisht, pra ministritë aprovohen që në fillim, por pastaj po flas për aspektin teknik të fuzionimit të ministrive, besoj që do ta përfundojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Mustafa.
Bashkimi i ministrive apo dikastereve të ndryshme, është i mundshëm, thotë Blerim Vela, doktorant në Shkencat Politike në Universitetin e Sussex-it, në Britani të Madhe.
“Thjesht mund të ndodh që disa prej nën-dikastereve të ministrive të caktuara të bashkohen me ministri të tjera. Pastaj unë pres që këto shërbimet e përbashkëta që njihen brenda ministrisë si departamenti ligjor, departamenti i administratës, prokurorimi, komunikimi publik, pra këto që secila ministri i ka veç e veç”, ka thënë Vela.
Por, kur të ndodhë bashkimi i ministrive, Vela thotë se disa persona, përkatësisht zyrtarë, mund të mbesin si tepricë, për të cilët, ai thotë se qeveria e ardhshme do të duhej të ndiqte politika të mençura të punësimit.
“Nuk do të jetë numri edhe aq i madh, nuk besoj që do të flasim për dhjetëra persona dhe ata mund të sistemohen. Natyrisht, qeveria duke bërë një politikë të mençur të punësimit, pra në qoftë se ka nevojë për punësime në pozita të ndryshme të bëjë në një farë mënyrë preferencë për këta persona, të cilët do të risistemohen, apo nëse disa prej tyre janë me moshë, le të themi mbi 55-vjeç, të ofrojë program të pensionimit të parakohshëm, pra një paketë ku persona të cilët dëshirojnë ta marrin këtë ofertë, të pensionohen para kohe dhe të përfitojnë një paketë financiare nga qeveria”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore kanë premtuar zvogëlim të numrit të ministrive si dhe nga një eventualisht dy zëvendësministra.
Qeveria në largim kishte krijuar një projektligj, që synonte zvogëlimin e tyre, por me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit projekt-ligji ka mbetur vetëm në letër dhe nuk është proceduar.
E njëjta qeveri, kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra.
Ministrat si dhe mbi 80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj do të vazhdojnë të marrin 70 për qind të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.
Fraksion.com