AktualitetPolitikëTë fundit

Opinioni i Venecias, Hyseni: Komisioni hetimor vijon procedurat, vendos Kuvendi

“Komisioni i Venecias e tha qartë se as Kushtetuta dhe as Kodi Zgjedhor nuk parashikon të drejtën e Presidentit të anulojë apo shtyjë zgjedhjet”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.

I ftuar në një studio televizive, Hyseni tha se “ky ishte qëndrimi që argumentoi edhe maxhoranca që në fillim, sepse fryma e Kushtetutës nuk e lejonte Presidentin të ushtronte këto kompetenca”.

“Nuk mund të bëj dot analizën e palës tjetër që në kushte dëshpëruese përpiqet të gjej justifikime. Ne iu drejtuam për konsulencë Komisionit të Venecias me 8 pyetje dhe të teta pyetjet kanë marrë përgjigje”, tha Hyseni.

Venecia, sipas tij, “konfirmoi se Presidenti i Republikës nuk ka pasur kompetenca për të anuluar dhe shtyrë zgjedhjet, madje është ndër rastet e rralla kur Venecia adreson edhe duke iu referuar neneve konkrete”.

“Zgjedhjet anulohen vetëm në raste të jashtëzakonshme sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe organi nuk është Presidenti as Kryeministri, por Kuvendi i Shqipërisë”, tha Hyseni.

Ai theksoi se “Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka shkelur Kushtetutën dhe komisioni hetimor do të vijojë me hapat e nevojshëm duke dorëzuar në Kuvend një raport përfundimtar, pastaj është Kuvendi që vendos”.

I pyetur mbi çeljen e negociatave dhe vendimin që pritet të merret në Këshillin Europian në datat 17-18 tetor, Hyseni tha se “skepticizmi i atyre shumë pak vendeve nuk ka të bëjë pothuajse fare me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por ka të bëjë me probleme të brendshme të vetë BE-së, me këndvështrime lidhur me mënyrën se si duhet të eci para BE”.

“Kemi shpresë se miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, partnerët e mëdhenj të vendit tonë do të arrijnë të bindin vendet skeptike. Avokati më i madh është Kancelarja Merkel dhe besoj se do të gjendet arsyeja që edhe një politikan i lartë si Presidenti Macron të tejkalojë këndvështrimin që ka Franca. Momenti historik se ku ndodhet Ballkani duhet parë përtej ndasive të vogla”, tha ai.

 

Fraksion.com