AktualitetTë fundit

Meta dekreton Besnik Muçin, gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e gjyqtarit Besnik Muçi, si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Vakancën në këtë Gjykatë,  Presidenti e ka shpallur në shkurt të vitit 2018 pas përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi.

“Në mbështetje të nenit 93, 125 pikat 1 dhe 3, 129, 179 pikat 2 dhe 12, të Kushtetutës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, germa “a” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova në datë 08.10.2019 “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10722, datë 07.02.2018”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me Vendimin nr. 128, datë 21.09.2019 dhe Vendimin nr. 129, datë 21.09.2019, si dhe pasi u njoha me përmbajtjen e praktikës dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance dhe të renditur në tri vendet e para të listës, përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresë nr. 552 prot., datë 08.10.2019, në përfundim Meta ta vendosur të dekretojë Besnik Muçi gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e Presidentit “Për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.

Për plotësimin e kësaj vakance aplikuan gjithsej 22 persona dosjet e të cilëve janë dorëzuar pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili ka kryer verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti i Republikës. Në përfundim të këtij procesi kanë ngelur në garë vetëm 4 kandidatët: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.

Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim ka vendosur të përzgjedhë kandidatin Besnik Muçi për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Besnik Muçi ka një eksperiencë pune prej më shumë se 20 vitesh, si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës. Ai ka një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në Departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Petagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit.

“Në kushtet kur zoti Besnik Muçi është i vetmi kandidat magjistrat (Prokuror) i përfshirë në tri vendet e para të listës së kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, dhe në kushtet kur ai është dhe kandidati i vetëm i gjinisë mashkullore, atëherë këto janë disa arsye më shumë ligjore dhe objektive për përzgjedhjen e kësaj kandidature duke plotësuar njëkohësisht dhe kërkesat dhe frymën që dikton ligji nr.8577/2000,” thuhet ndër të tjera në argumentimin e Presidentit për përzgjedhjen e Besnik Muçit si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

 

Fraksion.com