Mathew Palmer anulon vizitën në Beograd
I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin e nëntë të Sigurisë që fillon punimet të mërkurën në Beograd, kanë konfirmuar organizatorët e këtij Forumi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Arsyet e anulimit të pjesëmarrjes së Palmerit në Forum nuk janë bërë të ditura.
Palmer më 30 gusht është emëruar i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.
Një muaj më vonë, Shtëpia e Bardhë e ka emëruar Richard Grenell, ambasadorin aktual të Shteteve të Bashkuara në Gjermani si të dërguar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell ka vizituar javën e kaluar Prishtinën dhe Beogradin.
Ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar vizitën si tregues për mbështetjen që SHBA-ja i jep procesit të dialogut.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.
Aktualisht ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është pezulluar për shkak të taksës 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo pasi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përmendur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.
Heqjen e taksës e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com