AktualitetPolitikëTë fundit

“Hyn ‘live’ nga makina”; Rama: Jam nisur për në Bruksel, Merkeli po bind Macronin, unë jam me Zaevin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot përmes një videomesazhi se po bëhet maksimumi për të marrë “Po-në” e merituar për çeljen e negociatave, ndërsa theksoi se “më e mbështetur se sot Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces”.Rama informoi se Kancelarja Gjermane dhe Presidenti i Francës do të takohen sot në Tuluz, në kuadër të samitit franko-gjerman të dy qeverive.Një nga temat, sipas tij, “do të jetë edhe vendimmarrja e Këshillit Europian pasnesër, ku do të mbahet edhe qëndrimi përfundimtar i BE-së lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rama vlerësoi se Kancelarja Merkel dhe Gjermania po përpiqen intensivisht për një “Po”, për të dyja vendet ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe i Francës nuk përkon, për momentin të paktën, me atë të Gjermanisë dhe të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare.

“Nuk jam as optimist as pesimist për rezultatin e këtij procesi, por me realizëm gjykoj se po bëhet maksimumi për të marrë “Po-në” e merituar dhe se më e mbështetur se sot, me thënë të drejtën, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces. Pak por e sigurt është se edhe Franca e njeh dhe e vlerëson progresin e bërë, ashtu sikundër kërkon sot shumë më tepër nga vetë BE-ja se sa nga Shqipëria apo nga Maqedonia e Veriut”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “tani po niset për në Bruksel bashkë me kryeministrin Zaev për të takuar kryeministrat e qeverive socialiste dhe progresiste të BE-së, në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane në funksion të nevojës që kemi sot për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme”. “Do të komunikojmë shpejt përsëri”, tha ai.

 

Fraksion.com