AktualitetBota+Të fundit

Hunter Biden mohon akuzat se ka bërë ndonjë shkelje me angazhimet në Ukrainë dhe Kinë

Djali i Joe Bidenit, Hunter Biden ka hedhur poshtë akuzat e Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij republikanë se ka bërë ndonjë gabim duke u angazhuar me punë jashtë vendit, në Ukrainë dhe Kinë.

Por Hunter Biden tha se ai kishte dështuar të merrte parasysh ndërlikimet e mundshme që mund të sillte kjo gjë për karrierën politike të babait të tij. Ish-nënpresidenti është kandidati kryesor i demokratëve për garën presidenciale në vitin 2020.

Në një intervistë televizive për ABC News që u transmetua të martën Hunter Biden pranon se mund të ketë bërë një gabim, nëse gjërat shihen në një kontenkst më të gjerë, për shkak se ai kishte dështuar t’i shihte pasojat politike që kjo gjë do të kishte tek babai i tij. Por ai thotë se megjithatë ai nuk ka bërë asgjë të gabuar.

Gjatë intervistës Hunter Biden pranon se me gjasë ai nuk do të ishte emëruar në bordin e një kompanie të huaj nëse mbiemri i tij nuk do të ishte Biden.

Presidenti Trump dhe republikanët e kanë sulmuar Hunter Bidenin lidhur me punën e tij në Ukrainë dhe Kinë, duke hedhur akuza të pafaktuara për korrupsion.

Në një telefonatë të 25 korrikut, zoti Trump i pati kërkuar udhëheqësit të Ukrainës të hetojë si Joe Bidenin ashtu edhe djalin e tij. Hunter Biden ishte anëtar bordi i një kompanie energjetike në Ukrainë.

Telefonata ishte në qendër të një ankese të një informatori e cila u bë shkak për nisjen e hetimi për shkarkimin e presidentit Trump. Vetë zoti Trump ka mohuar të këtë thënë diçka të gabuar gjatë bisedës me homologun e tij duke e cilësuar atë “të përsosur”.

Hunter Biden tha që ai nuk i ka diskutuar kurrë marrëdhëniet e tij të biznesit me babanë e tij. Intervista u transmetua disa orë përpara debatit të katërt mes kandidatëve demokratë për presidentet që mbahet të martën në mbrëmje në Ohajo.

Hunter Biden, i cili kohët e fundit ka njoftuar se do të tërhiqet nga bordi i drejtorëve të një firme private të mbështetur nga kinezët, fajësoi kundërshtarët politikë të babait të tij për krijimin e polemika të forta mbi punët e tij.

“I dhashë disa njerëzve pa shumë etikë një çengel për t’u kapur, për të vepruar në mënyra të paligjshme dhe që të përpiqen të dëmtojnë babain tim. Ky është gabimi im. Marr përgjegjësi të plotë për këtë. A ka bërë ndonjë gjë të gabuar e të papërshtatshme? Në asnjë mënyrë, jo”, tha ai.

Ai shtoi se ndihen keqardhje që “nuk mori parasysh që do të kishte një Rudy Giuliani”, duke iu referuar avokatit personal të presidentit dhe se një “president i Shteteve të Bashkuara që do të dëgjonte këto ide qesharake për komplot”, siç u shpreh Hunter Biden.

 

Fraksion.com