AktualitetPolitikëTë fundit

Conte: Italia do të luftojë që të hapen negociatat për Shqipërinë; Rama: Meritojmë çeljen e negociatave pa kushte, procesi të shihet me sytë e interesit të përbashkët  

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama, takim i cili u pasua me konferencën e përbashkët për shtyp nga dy krerët e qeverive.“Jam me të vërtet i lumtur që ndodhem këtu sot, me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri. I konfirmova kryeministrit Rama se Italia e mbështet çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe personalisht, ditën e enjte dhe të premte do të mbështes këtë pozicion e do ta përqafoj me shumë bindje dhe forcë. Jam i bindur që çelja e negociatave me Shqipërinë janë instrumentat më të mira për të garantuar zhvillimin e Shqipërisë në interes jo vetëm të Italisë dhe Shqipërisë por të gjithë Europës, si në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë”, tha kryeministri italian.Ai shtoi se “hyrja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është një objektiv thelbësor përsa i përket integrimit dhe procesit të integrimit të këtij rajoni”.Kryeministri italian deklaroi se do të luftojë ditën e enjte kur do të zhvillohet mbledhja e liderëve të BE-së në mënyrë që të hapen negociatat për Tiranën dhe Shkupin.“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur të drejtën për marrë pjesë në negociata, ne do të luftojmë për këtë gjë”tha Conte.Duke folur për anëtarësimin në BE, Conte tha se: “Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe dhe i kërkohen reforma, përmbushja e reformave, por këtu flasim për kosto ekonomike dhe janë mjaft inkurajuese e që kërkojnë kurajo dhe një mbështetje të gjerë jo vetëm politike. Populli është shprehur pro anëtarësimit në BE dhe kjo përbën dhe një shtysë më tej në mënyrë që institucionet të ecin më tej në këtë proces dhe që të mos kemi vetëm deluzion por të kemi dhe një perspektivë që nga viti në vit, nëse shtyhet, do të kemi dhe një zbehje të kësaj dëshire. Këtu kemi dhe dëshirën dhe angazhimin italian dhe kjo përbën dhe një angazhim të të madh për qeverinë shqiptare dhe sikundër Kryeministri Rama më konfirmoi që është i vendosur të vijojë në këtë rrugëtim dhe në këtë rrugëtim të qeverisë shqiptare e të Shqipërisë në realizimin e reformave, kryesisht në reformën e drejtësisë, që kanë të bëjnë dhe me sfidat, sikurse janë rifillimi i funksionimit të institucioneve kryesore dhe lufta ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit. Një pjesë e diskutimit tonë u ndal edhe për sa i përket një bashkëpunimin më të thelluar në luftën ndaj kriminalitetit”.Sa i përket situatës politike në vendin tonë, kryeministri italian nënvizoi se: “Vëmendja jonë është e përqendruar në aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur dhe krizën e saj politike e kjo do të japë një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale dhe duke përfshirë këtu dhe atë përgjegjësi që qeveria dhe Kryeministri Rama po e tregojnë e do të vijojë ta tregojë. Mazhoranca dhe opozita kanë të dyja interes që të zgjidhin këtë krizë në bazë të burimeve të tyre dhe është e rëndësishme që maxhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të zgjidhur e për të pasur një dialog më konstruktiv e unë do ta theksoj këtë dhe në takimet e tjera që ky dialog të zhvillohet pa kushte”.
Rama: Meritojmë çeljen e negociatave pa kushte, procesi të shihet me sytë e interesit të përbashkët
Kryeministri Edi Rama  nga ana e tij deklaroi se “është me rëndësi strategjike që çelja e negociatave të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të përveçme kombëtare, por edhe me sytë e interesit të përbashkët, sepse është sa në interesin tonë, aq edhe në interesin e BE-së që ky proces të bëjë përpara”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, kryeministri Edi Rama tha se “ne nuk jemi në këtë proces sepse na e kërkon Brukseli, Berlini apo Parisi dhe e gjithë BE, por sepse na e kërkon ardhmja dhe përmes këtij procesi ndërtojmë një Shqipëri europiane, shtet të së drejtës, institucione funksionale me një demokraci të zhvilluar”.“Ishte një moment i rëndësishëm ky i ditës së sotme, ku kryeministri i Italisë mike erdhi në Tiranë, pavarësisht një momenti të ngarkuar punësh në Romë dhe mbledhjes së qeverisë në fund të ditës së sotme, për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht një vullnet për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes të dy vendeve”, tha Rama.Lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ai u shpreh se “pa diskutim ka një potencial shumë të madh për të bërë shumë më tepër akoma”.Rama tha se vizita e kryeministrit Conte në Tiranë sot është edhe në kuadrin e një jave shumë të rëndësishme për BE-në dhe për Shqipërinë në vigjilje të një takimi të Këshillit Europian, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Kryeministri Rama falënderoi kryeministrin Conte dhe qeverinë italiane që në koherencë të plotë me gjithë vijën e politikës së jashtme italiane kanë shprehur vullnetin e mirë dhe për asnjë moment nuk është lëkundur për mbështetjen e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë këtij rajoni në perspektivën e BE-së.“Unë besoj se përtej faktit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat e tyre të shtëpisë dhe meritojnë çeljen e negociatave pa kushte, përtej faktit se në proces ka shumë më tepër se çfarë kemi bërë ne apo Maqedonia e Veriut, është me rëndësi strategjike që përfundimi i këtij procesi të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të përveçme kombëtare, por edhe me sytë e interesit të përbashkët, sepse është sa në interesin tonë, aq edhe në interesin e BE-së që ky proces të bëjë përpara”, tha Rama.“Me kryeministrin Conte prekëm aspektin e marrëdhënieve bilaterale dhe në të gjitha planet marrëdhëniet janë pa asnjë shqetësim, por mbetet sfida e thellimit të tyre, sidomos në aspektin e bashkëpunimit ekonomik”.“Procesi i reformës në drejtësi dhe procesi i integrimit në tërësi përbën një shtyllë të fortë mbështetëse për ngritjen e këtij bashkëpunimi ekonomik”, tha Rama.

 

Fraksion.com