AktualitetPolitikëTë fundit

Përçahet grupi demokrat që kërkon shkarkimin e Rudina Hajdarit

Eshtë përçarë grupin Demokrat brenda Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë deputeti Korab Lita fillimisht, i cili me anë të një statusi në rrjetet sociale publikoi një dokument të firmosur nga 7 deputetët e këtij grupi ku njoftohej shkarkimi i kryetares Rudina Hajdari dhe zëvendësimi me veten e tij, Korab Lita.

Menjëherë pas këtij lajmi ka qenë, vetë Rudina Hajdari që ka reaguar duke hedhur poshtë këtë dokument dhe duke thënë se ajo vijon të jetë kryetare e grupit Demokrat në Kuvend. Ndër të tjera Rudina Hajdari shkruante se grupi që ajo drejton ka vendosmërinë për  të çuar deri në fund reformimin e sistemit. Në fund Hajdari thumbon kundërshtarët politik si dhe ata që i kanë dalë kundër duke thënë se do të shihen të enjten.

“Ju sigurojë se unë jam në krye të grupit Demokrat që ndërkohë po zgjerohet dhe forcohet edhe më shumë. Vendosmëria jonë për të çuar deri në fund reformimin e sistemit është detyrim ndaj çdo demokrati dhe opozitari që kërkon ndryshimin në Shqipëri. Shihemi te enjten!”,  deklaroi Rudina Hajdari.

Pas kësaj ka qenë deputeti Halit Valteri i cili i është bashkuar zërit të Rudina Hajdarit duke u tërhequr nga firma e tij dhe duke thënë se nëse shkarkohet Hajdari ai do të largohej nga grupi.

Halit Valteri ka deklaruar se firma e tij në atë dokument nuk ishte për të shkarkuar Rudina Hajdarin ndërsa historikun e kësaj firme ai ka thënë se do të bënte të ditur më vonë. Po ashtu nëpërmjet një letre që i ka dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Valteri thekson se është tërhequr përfundimisht nga firma e tij.

“Mund të jetë kushdo tjetër përveç Korab Litës kryetar. Grupe që po fusin duart nuk do t’ja dalin që të shkarkojnë kryetaren tonë. Marrëzia dhe deliri i Litës arrin deri në shkresa të tilla” ka thënë Valteri për tv.

Ndërsa postoi statusin e tij: 

“Në gojë të të marrit gjejmë farën e kryelartësisë, thoshte nënokja ime, por të urtët e ruajnë gjithmonë gjuhën.

Por të marrin s’ke nga ta kapësh, është i paparashikueshëm! Ti e hekuros në një krahë, ai të rrudhoset në krahë tjetër.

I marri bëhet kryetar vendi, kont, dukë, pse jo edhe mbret… vetëm për pak sekonda, derisa mbreti del cullak.

Gjithsesi në sqarim të opinionit publik, marrë përgjegjësinë si nënkryetar i grupit parlamentar të deklaroj, se ne kryetar të marrë nuk kemi, e as që do të kemi ndonjëherë.

E nëse ky vendim nuk u pëlqen të marrëve, që gjejnë lloj lloj metodash për tu faktorizuar për disa minuta, me lumturimë të thellë u them, se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të grupit parlamentar.

Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë.

Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.

Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan.

Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je!

Fraksion.com